KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA frikë nga mosmarrëveshjet tregtare me Kinën

SHBA frikë nga mosmarrëveshjet tregtare me Kinën

Presidenti amerikan, Donald Tramp, është shprehur se do t’i bashkohet Partnershipit TransPaqësor nëse marrëveshja është më e mirë se ajo që i ishte ofruar paardhësit të tij Barak Obama. Partnershipi TransPaqësor është një marrëveshje e tregtisë së lirë mes 11 kombeve të Azisë dhe Paqësorit, nga e cila SHBA-të u tërhoqën pasi zoti Tramp mori detyrën vitin e shkuar. Mëngjesin e kësaj të premteje ai deklaroi në tuiter se SHBA-të do të merrnin në shqyrtim të ribëheshin palë e paktit. Trump e ka kritikuar më parë marrëveshjen duke e quajtur atë një katastrofë. Por strategjia e tij e tregtisë po përballet me kritika ndërkohë që konflikti me Kinën po përshkallëzohet. Kjo ka mërzitur disa nga mbështetësit e tij republikanë, sidomos ata që përfaqësojnë fermerët që pritet të preken nga tarifat kineze. Politikanët e të dy krahëve politikë janë të shqetësuar se Zoti Tramp po i çon SHBA-të drejt një beteje dëmtuese me Kinën, pasi vendosi tarifa mbi çelikun dhe aluminin dhe kërcënoi se do të tatonte mallra të tjera kineze. Administrata Obama kishte nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë të Partnershipit Transpaqësor me 11 vende të tjera, përfshi Japonin, Vietnamin, Singaporin dhe Australinë, me qëllim uljen e tarifave si dhe reduktimin e ndikimit kinez në Paqësor. Ndërkohë, rihyrja në këtë marrëveshje do t’u jepte fermerëve amerikanë dhe bizneseve të tjera më shumë akses në tregje të huaja, nëse Kina i vë në zbatim kërcënimet e fundit për vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave amerikane.

Sicred