KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump përfundon turin aziatik

Trump përfundon turin aziatik

Presidenti amerikan, Donald Trump, anashkaloi në minutën e fundit, seancën plenare të Samitit të Azisë Lindore me pjesëmarrjen e 18 vendeve, ndërkohë që konferenca po zgjatej më shumë sesa ishte planifikuar. Në vend të kësaj, Trump hipi në avionin presidencial për t’u larguar nga Filipinet. Avioni i tij u nis nga aeroporti ndërkombëtar të martën pasdite, 30 minuta më herët nga planifikimi. Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson iu kërkua të qëndronte në seancë në vend të presidentit Trump. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e shpjeguan largimin para kohe me faktin se Trump e tha atë që donte të thoshte në samit gjatë një dreke të mëparshme për udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore. Presidenti Trump i dha fund udhëtimit 12-ditor në Azi pa ndonjë njoftim të rëndësishëm politik, por ai deklaroi se ky ishte “një turne jashtëzakonisht i suksesshëm”, duke vënë në dukje se gjatë vizitave “kishte bërë miq të shumtë në nivelin më të lartë”. Ai tha gjithashtu se udhëtimi i tij kishte rezultuar në marrëveshje biznesi që kapnin të paktën 300 miliard dollarë dhe ndoshta trefish më shumë. Përveç tregtisë, udhëtimin e tij e ka dominuar edhe kriza bërthamore në Korenë e Veriut, për të cilën Trump vazhdimisht ka fajësuar regjimin e Kim Jong Unit.

Sicred