KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump për murin: Së shpejti mund të shpallë emergjencë kombëtare për sigurinë kufitare

Trump për murin: Së shpejti mund të shpallë emergjencë kombëtare për sigurinë kufitare

Presidenti i SHBA Donald Trump sinjalizoi se së shpejti mund të shpallë një emergjencë kombëtare dhe se do të përdorë fondet e ndërtimeve ushtarake për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën. Deri tani, ai e ka patur të pamundur të bindë Kongresin që t’i japë fonde për këtë qëllim. Presidenti Trump shkoi të enjten në Teksas për të parë nga afër përpjekjet që synojnë pengimin e imigracionit të paligjshëm në kufi. Ai tha se ndoshta do të shpallte deklarimin e emergjencës nëse nuk arrin dot marrëveshje me demokratët e opozitës për financimin e murit. Bisedimet e Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit demokratë, të cilët refuzojnë të japin fonde për murin, përfunduan dje me dështim, ndërkohë që, për shkak të mosmarrëveshjeve, qeveria është mbyllur pjesërisht prej 20 ditësh. “Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare,” u tha zoti Trump gazetarëve. “Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj.” Presidenti Trump tha se ekzistojnë fonde të mjaftueshme (në dispozicion për murin) nëse ekziston një emergjencë kombëtare. Ndërkohë, demokratët dhe grupe të tjera pothuajse me siguri do të ngrejnë sfida ligjore ndaj një deklarate emergjence të presidentit dhe ndaj përdorimit të fondeve ushtarake që tashmë janë caktuar për projekte të tjera. Presidenti Trump tha se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës këtë muaj “për shkak të qëndrimit kokëfortë të demokratëve për sigurinë kufitare dhe rëndësisë së madhe të sigurisë për vendin”. Ndërkohë, në Uashington qindra punonjës protestuan kundër mbylljes së qeverisë.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com