KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump: Nuk do ta ndëshkojë princin saudit

Trump: Nuk do ta ndëshkojë princin saudit

Presidenti, Donald Trump, tha se nuk do të ndërmarrë veprime të ashpra kundër Arabisë Saudite ose Princit të saj të Kurorës, Mohammed bin Salman, lidhur me vrasjen e gazetarit Kashoggi, i cili u vra në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë. Në një deklaratë të shoqëruar me thirrjen “Amerika e Para”, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten një “partner i palëkundur” i Arabisë Saudite, edhe pse Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman mund të ketë patur dijeni rreth planit për të vrarë gazetarin Khashoggi. Ai la të kuptohet se nuk kishte ndërmend të anulonte kontratat ushtarake me Rijadin, duke thënë se “nëse nuk veprojmë me mend dhe heqim dorë nga këto kontrata, Rusia dhe Kina do të ishin përfituesit e mëdhenj”. Presidenti tha se “agjencitë amerikane të inteligjencës vazhdojnë të vlerësojnë të gjithë informacionin, por ka shumë mundësi që Princi i Kurorës të ketë patur dijeni për këtë ngjarje tragjike”.Presidenti Trump pritej të merrte të martën një raport të CIA-s mbi vrasjen e Khashoggit. Një zyrtar i lartë i administratës tha se raporti, i dorëzuar në formë fizike, vlerëson të gjitha informacionet e mbledhura deri tani, por pa dhënë një konkluzion përfundimtar. Raporti vjen shtatë javë pasi Khashoggi, baba i katër fëmijëve, hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor për të kërkuar dokumente martese, ku u vra dhe më pas trupi i tij u copëtua.

Sicred