KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump ngrin fondin për Sirinë

Trump ngrin fondin për Sirinë

Një ditë pasi tha se SHBA-të do të tërhiqeshin nga Siria shumë shpejt, Presidenti Donald Tramp ka urdhëruar ngrirjen e një fondi prej më shumë se 200 milionë dollarësh, që ishte destinuar si ndihmë për atë vend. Departamenti i shtetit nuk pranoi ta komentonte këtë lajm për mediat e huaja, por u shpreh në një deklaratë se në përputhje me kërkesën e presidentit për të rishikuar të gjithë asistencën ndërkombëtare, në mënyrë të vijueshme ne rivlerësojmë nivelet e ndihmave dhe mënyrën se si ato përdoren. Sipas Wall Street Journal, presidenti amerikan kërkoi që të ngriheshin fondet pasi lexoi një lajm sipas të cilit SHBA-të ishin angazhur së fundmi për të mbështetur përpjekjet fillestare për rindërtim në Siri. Sekretari në largim i shtetit, Reks Tillerson, u zotua për këtë fond gjatë një takimi që ai zhvilloi në Kuvajt me përfaqësues të koalicionit global që lufton Shtetin Islamik. Ndërkohë sipas agjencisë së lajmeve Rojters, ndërsa Pentagoni vlerëson se Shteti Islamik ka humbur rreth 98 përqind të territorit që kontrollonte dikur në Irak dhe Siri, zyrtarët e ushtrisë amerikane kanë paralajmëruar se militantët mund të rifitojnë shumë shpejt zonat e cliruara nëse ato nuk stabilizohen.

Sicred