KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump emëron në Gjykatën e Lartë besimtarin e devotshëm katolik

Trump emëron në Gjykatën e Lartë besimtarin e devotshëm katolik

Presidenti Donald Trump emëroi gjykatësin Brett Kavanaugh si anëtar të Gjykatës së Lartë. Brett Kavanaugh, me pikëpamje konservatore, është aktualisht gjykatës i apelit dhe në të kaluarën ka arritur t’i mbijetojë një beteje të fortë konfirmimi në Senat dhe ka shërbyer si pjesë e grupit që hetoi ish Presidentin Bill Klinton në vitet ’90. Presidenti Trump, në 18 muajt e parë në detyrë, ka patur mundësinë e rallë për të bërë dy emërime në Gjykatën e Lartë, anëtarët e së cilës emërohen për jetë. Kavanaugh, 53 vjeç, do të zëvendësojë anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy, 81 vjeç, i cili njoftoi se do të dilte në pension më 27 qershor. Emërimi i një anëtari të Gjykatës së Lartë shihet si një ndër vendimet më të rëndësishme për një president, pasi pasojat shtrihen në vite. I njohur si besimtar i devotshëm katolik, qëndrimi i tij ndaj një prej çështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara – abortin – ka ngjallur shqetësime si mes demokratëve edhe republikanëve. Republikanët synojnë ta miratojnë kandidaturën para sezonit të ri të Gjykatës Kushtetuese që çelet në tetor dhe para zgjedhjeve për në Kongres që zhvillohen në nëntor. Anëtari i Gjykatës së Lartë duhet të konfirmohet nga Senati. Analistët janë të një mendimi se kandidatura e zgjedhur nga presidenti Trump do të shkaktojë një betejë të fortë në Senat. Ndryshe nga presidentët apo ligjvenësit, anëtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë pa afat, derisa vendosin vetë të largohen, gjë që u jep mundësi presidentëve që bëjnë emërimet, të lënë një trashëgimi juridike që zgjat për dekada të tëra pasi të jenë larguar nga posti.

Sicred