KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Treguesit fiskalë, në kohë dhe profesionalisht

Treguesit fiskalë, në kohë dhe profesionalisht

Nuk ka respektim të detyrimit ligjor, sipas të cilit Ministria e Financave duhet të raportojë të hyrat fiskale në datën 8 të cdo muaji si të dhëna paraprake dhe më pas në datën 12 si tregues fiskale të konsoliduar të buxhetit. As në janar, as në shkurt dhe as në mars nuk gjen tregues të tillë. Edhe viti 2017 nuk ka të publikuar realizimin e buxhetit faktik.

Në dukje, kjo nuk duket se ka shumë rëndësi për autoritetin publik përkatës. Nuk është se njerëzit do të ushqehen me treguesit fiskalë. Në një analizë më të plotë, treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar nevojiten për të analizuar, të hyrat fiskale, tendencën e tyre dhe ndikimin e tregjeve vendas apo të huaj, jo vetëm nga ekspertët dhe zyrtarët publikë, por edhe nga aktorë të tjerë të jetës ekonomike dhe financiare. Prej shumë kohësh nuk respektohet ky detyrim nga autoritetet përkatëse.

Kjo mbetet të jetë vetëm gjysma e së keqes!

E keqja tjetër ka të bëjë me profesionalizimin në deklarimin e të hyrave fiskale. Vini re këtë njoftim zyrtar që shoqëroi edhe daljen publike të ministrit, që, në muajin prill, raportoi të hyrat fiskale të shkurtit.

Askund të hyrat fiskale nuk krahasohen me periudhën respektive të një viti më parë. Arsyeja është e thjeshtë: në 27 vitet e fundit, përjashtuar vitin 1997, të hyrat fiskale të muajit korrent janë gjithnjë më të larta se të muajit respektiv të një viti më parë. Të hyrat fiskale të një viti korrent, sakaq, janë gjithnjë më të lartë se sa ato të vitit pararendës. Po përse autoritetet raportojnë me këtë me këtë mungesë të theksuar profesionaliteti dhe etike profesionale? Si mund të thuhet se në shkurt fjala vjen janë 3,5 miliardë lekë më shumë të hyra, kur ato janë më pak se sa vetë ministria ka planifikuar!

Pse duhet të thuash se tatimet e doganat kanë mbledhur 5,5 % më shumë të ardhura, kur në muajin shkurt, muaj që planifikohet rregullisht më pak të se sa muajit e tjerë, nuk realizohet plani?

Vini re këtë shpërndarje të të hyrave fiskale që ka detyrimin të realizojë ministria e Financave. Shikoni muajin shkurt 2018. Vetëm 30 miliardë lekë, më pak se cdo muaj tjetër të 2018-ës! Edhe se janari që është muaj i parë i vitit.

Profesionalizimi në paraqitjen e treguesve fiskale në raport me planin dhe prodhimin e përgjithshëm të brendshëm nuk është çështje dëshire, por detyrim ligjor. Për faktin se jo vetëm politika, opozita, por edhe ekspertët, analistët apo edhe gazetarët të mundet të pyesin qeverinë se cilët janë faktorët që kanë ndikuar, përshembull që akciza ka dhënë 140 milionë lekë më shumë se planfikimi, çfarë ka ndikuar, apo pse të ardhurat nga renta për naftën vendase janë rritur dhe për mineralet e eksportuara janë ulur? Pse të ardhurat nga TVSH brenda vendit janë ulur, ka ndikuar tregu apo administrimi dhe pse, në mungesë të plotë sinqeriteti fiscal, raportohen të hyrat e kontributeve si arritje e performancës së administratës tatimore, kur ajo është thjesht agjent fiskal i Institutit të Sigurimeve shoqërore.

Me këtë analizë, që për hir të së vërtetës RTSH nuk e bën për herë të parë, nuk duam të tregojmë nëse ka apo jo probleme të administrimit fiskal. Duam të evidetojmë se pas një administrimi të mirë fiskal, vjen edhe një rishpërndarje shpenzimesh, që mund të duhet të realizohen sipas parashikimit buxhetor. Dhe të pyesim se përse investimet me financim të brendshëm nuk realizohen më shumë se 80 %, ndërsa projektet me financim të huaj realizohen mbi 145 për qind.

Edhe për këtë qëllim shërbejnë treguesit fiskale të qeverisë, të raportuara në kohë dhe profesionalisht

Sicred