KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Tregu i sigurimeve dhe problematikat e tij

Tregu i sigurimeve dhe problematikat e tij

Pas dy dekadash, nuk janë pak, por rreth 1 milion e 300 mijë shqiptarë që kanë nënshkruar një kontratë për të siguruar ose shtëpinë, ose shëndetin ose makinën. Por, janë pak ato që kanë paguar për të marrë këtë mbrojtje- vetëm 35 euro për person! Sllovenët përshëmbull paguajnë 1000 euro në vit, ndërsa shumë lart nga shqiptarët janë edhe kosovarët apo maqedonasit. Tetë kompanitë që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri i kanë ndarë “thellat”, sipas shërbimit që kanë ofruar. Pjesa e luanit është sigurimi i mjeteve motorike, një sigurim i detyrueshëm, për të cilin vazhdon sot e gjithë ditën një debat i hapur: Mungon ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik, sepse Ministria e Financave është duke bërë një ligj të ri. Një ligj, ku thuhet se do të korrigjohen disa mangësi, sidomos ato që lidhen me sistemin Bonus-Malus, ose paguaj me pak siguracion kur bën më pak dëm ndaj të tjerëve.

Paketa e plotë ligjore për funksionimin e këtij tregu mungon. Jo prej një viti, as dy, por prej dy dekadash. Biznesi thotë se duhet ta bëjë qeveria, qeveria ka 20 vjet që nuk bën gjë. Biznesi nuk ka mbetur pa fituar, kur 67-68 përqind e parave i ka të garantuara nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike, që e kanë kaluar gjysëm milionshin. Tani po kërkohet edhe detyrimi me ligj i sigurimeve të tjera. Të shohim si do të vazhdojë.

Ka shumë për të thënë për tregun e sigurimeve. Borxhi përshembull është një prej temave që është bërë si puna e gunës, që nuk e vesh njeri. Autoriteti mbikqyrë kërkon prej vitesh të paguhet ky borxh, kompanitë e shtyjnë në kalendat greke pagesën, sepse nuk gjejnë dot shkaktarët e dëmit, të cilët, janë ata që duhet të paguajnë. Kështu vijon nga viti 2001. Kështu duket se do të vijojë akoma. Kush është dëmtuar dhe ka në xhep vendimin e gjykatës, të presë. Nuk mund t’i marrë tani paratë! Pra dëmshpërblimin. Edhe pse deklarohet se për vitin që kaloi janë paguar 47 milionë euro dëme. Por nuk është deklaruar se sa prime janë paguar kundrejt këtyre dëmeve. Eshtë kjo një nga hiletë e tregut, por që duhet të zbardhë AMF, që është Autoriteti I Mbikqyrjes Financiare që mbulon ligjërisht sigurimet e risigurimet, fondet e pensioneve dhe ato të investimeve e kështu me rradhë.

Tregu ka nevojë për të funksionuar, ndërsa funksionimi pritet të vijë nga qeveritë, sakaq që duhet të vijë edhe nga lobimi dhe advokimi i fortë i bizneseve, një “sport” që nuk e njohin sa e si duhet sipërmarrjet shqiptare të këtij tregu të rëndësishëm, që ndikon ekonominë shqiptare në tërësi dhe konkurron bankat tregtare në veçanti, nëse do të ishte i ngashëm me simotrat e tij në rajon dhe Europë. Tani është koha për një gjë të tillë!

Sicred