KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tre muzikantë shqiptarë dhe Orkestra Simfonike e RTSH në një premierë botërore

Tre muzikantë shqiptarë dhe Orkestra Simfonike e RTSH në një premierë botërore

Një pjesë që merr jetë për herë të parë në skenën shqiptare, ka bërë bashkë 3 muzikantë të shkëlqyer dirigjentin Eno Koço, violinistin Klaidi Sahatçi si dhe pianisten Merita Rexha Tershana.
Është Rapsodia Koncertante për Violine, Piano dhe Orkestër nga kompozitori Aleksandër Peçi që vjen si premierë botërore me orkestrën simfonike të RTSH.
Klaidi, një ndër violinistët virtuozë formuar në shkollën shqiptare të harqeve, ka lënë mënjanë një axhende të ngarkuar artistike në Zvicër ku jeton. Pikërisht se e konsideron detyrim i muzikantëve shqiptarë të luajnë muzikën e kompozitorëve të vendit të tyre. “Është hera parë që do ti bie me orkestrën simfonike të RTSH, dhe do të ndaj skenën me partneren Merita Rexha Tershana dhe kam kënaqësinë e madhe ti bie me të” thotë Klaidi. “Është detyra jone dhe misioni ynë si muzikantë që të luajmë muzikë bashkëkohore, sepse muzika ka nevojë por edhe vendi ynë ka nevojë. D paraqitemi në botë me identitetin tonë dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme që e kam kuptuar gjithë këto vite që kam jetuar jashtë atdheut” shtoi muzikanti i shquar shqiptar.
Bashkë me Klaidin është edhe pianistja Merita Rexha, një dyshe muzikore që na sjell përveç tingujve muzikorë dhe teknikës së lartë edhe një elegancë në interpretim. “Këtë herë jam dyfish më e kënaqur, e para sepse luaj muzikë shqiptare të Aleksandër Peçit, e dyta sepse luaj me Klaidin” thotë pianistja Rexha. “Është detyrë e instrumentistëve shqiptarë, të cilët janë ata që duhet ta luajnë këtë muzikë, sepse Brahmsin dhe Bet’hovenin e luan gjithë bota, kurse muzikën shqiptare na takon ne ta luajmë” thotë pianistja.
Salla e Akademisë së Arteve do të ofrojë të premten në mbrëmje një koncert të plotë me një program impenjativ ku përveç premierës botërore dhe pjesëve nga Aleksandër Peçi orkestra e RTSH bashkë me solistët do të luajnë edhe “Fantazinë” nga Çajkovski si edhe introduksionin dhe rondo capriciozo për violinë nga kompozitori Camille Saint Saens.

Sicred