KRYEFAQJA » LAJME » Trazira në kampin e refugjatëve në ishullin grek Lesbos

Trazira në kampin e refugjatëve në ishullin grek Lesbos

Mbrëmjen e së hënës kanë nisur trazira në kampin e refugjatëve në ishullin grek Lesbos, që mund të përshkallëzohen. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, incidentet filluan kur një grup refugjatësh po protestonin për kushtet e këqija të mbajtjes në izolim, para kthimit mbrapa për në Turqi. Një skuadër policësh mori përsipër mbrojtjen e mjedisit ku ndodhen zyrat e shërbimeve të azilit dhe deportimit. Por ata u sulmuan me gurë dhe sende të tjera. Sipas mediave policia përdori lëndë kimike për të shpërndarë protestuesit dhe ishte kjo ndërhyrje që bëri që protesta të merrte një karakter masiv. Të paktën dy çadrave dhe dy konteinerëve u është vënë zjarri. Është raportuar se grupe refugjatësh nuk lejojnë makinat zjarrfikëse që të futen brenda kampit e të tentojnë vënien nën kontroll të zjarreve. Kampi i Morias në ishullin Lesbos është më problematiku në vend. Aty mbahen prej muajsh refugjatë në pritje të përgjigjes për dhënie azili, apo edhe të deportimit në Turqi për ata që nuk përmbushin kushtet e qëndrimit në Greqi.

Sicred