KRYEFAQJA » LAJME » Transmetimi i seancave plenare nga RTSH

Transmetimi i seancave plenare nga RTSH

Seanca e Kuvendit e të enjtes ka prodhuar një debat politik dhe mediatik që pavarësisht zhurmës së krijuar ka sqaruar pak ose aspak atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Seanca ka nisur me një protestë të Partisë Demokratike, nxitur nga ankesat e TV private, që pretendonin bllokimin e sinjalit të punimeve të Kuvendit nga RTSH.
“Seanca po transmetohet nga vetëm një trasnsmetues televiziv dhe të gjithë stacionet e tjera nuk marrin sinjalin, për shkak se drejtori që ju keni caktuar në RTSH, ka vendosur një sistem tarifash të papërballueshme për stacionet e tjera televizive” njoftoi kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho.
Ish kryeministri Berisha me tone të forta tha se “Neobllokmeni Edvin Kristaq Rama ka ndërprerë sinjalin të gjithja mediave të tjera në mënyrë që të bllokojë komunikimin e shqiptarëve në maksimum me sallën e parlamentit”.
Shqetësimit të demokratëve jua bashkua edhe kreu i grupit parlamenta të LSI Petrit Vasili tashmë i konsideruar opozita e majtë në parlament. “Parlamenti është në rrugën e asfikismit, e mbylljes së parlamentit, kthimit në një tempull pa gojë” tha zoti Vasili. Ai akuzoi pa emër zotin Rama se “… një i paditur që drejton qeverinë duke u trembur shumë nga diskutimet, nga kualiteti dhe debatii, ka bërë gjithçka për ta kthyer parlamentin në një sekt ku nuk flitet, ku fjala nuk shpërndahet”.
Pretendimit të opozitës dhe ndërhyrjeve nga vendi të deputetit Sali Berisha i dha një pergjigje kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci. “Rregullorja e Kuvendit detyron RTSH të transmetojë disa seanca të plota, siç janë pyetjet, interpelancat, pyetjet, programi dhe miratimi i qeverisë.
Seancat e tjera, TVSH është e detyruar që me kërkesë të konferencës së kryetarëve ti transmetojë të plota dhe në oraret që vendos kuvendi. Kaq kemi përcaktuar deri tani, nëse ka probleme të tjera mes RTSH dhe TV private, këto zgjidhen në rrugë të tjera dhe jo në sallën e parlamentit” tha zoti Ruçi.
Pas ndërprerjes 10 minuta të seancës, i fundit foli Kryeministri Edi Rama që kërkoi nga Kuvendi të krijojë
infrastrukturen e tij për transmetimin e seancave.
“Si në çdo vend normal, si në çdo shtet demokratik, kuvendi duhet të ketë televizionin e vet, duhet të ketë shërbimin e vetë për të gjithë të interesuarit që ta marrin këtë shërbim.
Ligji që i imponon TVSH dhënien falas të veprimtarisë së kuvendit, është thjesht një adoptim në kushtet e demokracisë i një situatë komuniste. Këtu fillon dhe mbaron gjithçka. Kërkesa e TVSH për t’ua shitur apo imponuar televizioneve private një fature ose dhënien e sinjalit me logon e TVSH është faktikisht diçka që i takon të shkuarës. Sepse asnjë tv, qoftë publik apo privat nuk mund të këtë këtë ekskluzivitet. Dhe në kushtet e konkurrencës TV publik nuk mund tu imponojë konkurrentëve të vet logon e tij si konkurrent. Kjo është shumë e thjeshtë! Mjafton që Kuvendi të marrë nga TVSH shërbimin për sa kohë të ngrejë infrastrukturën e vetë sa të ngrejë infrastrukturën e vet” sqaroi kryeministri Rama.
Por si qendron e verteta?
RTSH prodhon sinjalin e seancave të RTSH me paratë e taksapaguesve shqiptare, duke respektuar pikë për pikë detyrimin e transmetuesit publik ndaj tyre për transmetimin e plotë të seancave në të dy kanalet, RTSH 1 dhe RTSH Kuvend.
Por RTSH nuk ka asnjë detyrim ligjor që paratë e taksapaguesve ti përdorë për të dhënë sinjalin falas për televizionet private. Asnjë ligj për funksiomin dhe transparencën e Kuvendit nuk e detyron RTSH të kthehet në servis për asnjë TV privat. Për prodhimin e sinjalit RTSH shpenzon financa, burime njerezore dhe kosto teknike. Në këtë konteks, përpara një jave të gjithë TV private u ka shkuar një shkresë zyrtare nga RTSH, që nëse duan të përfitojnë sinjalin për seancat e Kuvendit, janë të ftuar të lidhin një kontratë për të ndarë kostot e prodhimit ose ta marrin falas atë me logon RTSH Kuvend, kanalin dixhital të RTSH që u dedikohet seancave të parlamentit. Siç shihet, në asnjë rast, RTSH nuk ka bllokuar sinjalin për asnjë televizion privat në Shqipëri.