KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tërheqja e SHBA-së nga pakti shqetëson aleatët evropianë

Tërheqja e SHBA-së nga pakti shqetëson aleatët evropianë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, e terhoqi vendin e tij nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin, duke rritur rrezikun e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke shqetësuar aleatët evropianë dhe duke shkaktuar pasiguri për furnizimet globale me naftë.
Me marrëveshjen e vitit 2015, të nënshkruar nga Irani, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania, Republika Islamike kishte rënë dakord të frenonte aktivitetin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, Trampi tha se pakti nuk adreson një sërë çështjesh, përfshirë këtu: programin me raketa balistike të Iranit, aktivitetet e tij bërthamore pas vitit 2025 apo rolin e Teheranit në konfliktet në Jemen dhe Siri.
Pas njoftimit të Trampit për tërheqje nga marrëveshja, Departamenti Amerikan i Thesarit tha se sanksionet kundër Iranit do të rikthehen. Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi po ashtu një deklaratë, duke thënë se Uashingtoni do të punojë me aleatët “për të gjetur një zgjidhje reale dhe gjithëpërfshirëse” për “kërcënimin iranian”.
“Kam urdhëruar organizatën bërthamore të Iranit që kurdo që të jetë e nevojshme, të nisim pasurimin e uraniumit, edhe më shumë se më parë”, tha në përgjigje presidenti i Iranit, Hassan Rohani. “Kjo është një luftë psikologjike, ne nuk do të lejojmë që Trampi të fitojë”, shtoi Rohani.
Ndërkaq Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, liderët e të cilave kanë bërë përpjekje të ndryshojnë mendjen e Trampit, thanë se vendimi i Amerikës për tërheqje nga marrëveshja bërthamore, është për te ardhur keq, por “ato do të vazhdojnë me respektimin e marrëveshjes”.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se është “thellësisht e zhgënjyer”.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se BE-ja “është e vendosur të ruajë marrëveshjen”.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në kohën e të cilit është nënshkruar marrëveshja, tha se ajo ka funksionuar dhe se ka qenë në interes të SHBA-së.
Por, kryeministri i Izraelit, Benjamnin Netanyahu, tha se ai e mbështet plotësisht “tërheqjen e guximshme” të Trampit nga një “marrëveshje katastrofike”.
Braktisja e paktit me Iranin është edhe një element i politikës së Trumpit “Amerika e Para”. Kjo politikë ka çuar në tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, e ka afruar SHBA-në në një luftë tregtare me Kinën dhe e ka nxjerrë atë nga Marrëveshja Tregtare e Azi-Paqësorit.

Sicred