KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trampi pritet të mos çertifikoje marrëveshjen me Iranin

Trampi pritet të mos çertifikoje marrëveshjen me Iranin

Presidenti amerikan Donald Tramp pritet të tërhiqet këtë të premte nga mbështetja e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Lëvizja nuk do t’i tërheqë SHBA-të nga marrëveshja, por do t’i japë Kongresit 60 ditë kohë për të vendosur nëse do të rivendosin apo jo sanksione ndaj atij vendi. Sipas mediave të huaja, Sekretari amerikan i shtetit Reks Tillerson është konsultuar me homologët e tij në Europë dhe Kinë në lidhje me këtë çështje. Zoti Tramp ka qenë nën presion për të mos e prishur marrëveshjen. Sipas kësaj marrëveshjeje të arritur në vitin 2015 nga fuqitë e mëdha dhe Irani, ky i fundit kishte rënë dakord të ndalonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së pjesshme të sanksioneve. Presidenti Tramp ka qenë një kritik i paepur i marrëveshjes, dhe ishte zotuar edhe gjatë fushatës së tij presidenciale se do ta griste atë. Kongresi i kërkon presidentit të SHBA-ve të çertifikojë çdo 90 ditë nëse Irani i përmbahet pjesës së vet. Deri tani, zoti Tramp e ka riçertifikuar këtë dy herë. Mediat thonë se zoti Tramp mund të refuzojë reçertifikimin sot dhe kjo ka shkaktuar alarm mes aleatëve të SHBA-ve por edhe mes anëtarëve të vetë administratës së presidentit. Sekretari amerikan i mbrojtjes Xhejms Metis tha në fillim të këtij muaji se braktisja e marrëveshjes nuk është në interesin kombëtar të Amerikës.

Sicred