KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tramp: OKB të reduktojë burokracinë dhe kostot, si dhe të qartësojë vizionin

Tramp: OKB të reduktojë burokracinë dhe kostot, si dhe të qartësojë vizionin

Presidenti amerikan Donald Tramp i kërkoi të hënën Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të reduktojë burokracinë dhe kostot, si dhe të ketë një vizion më të qartë për misionet e saj në botë. Gjatë një takimi për reformimin e kësaj organizate, mbajtur në selinë e saj në Nju Jork, zoti Tramp tha që Shtetet e Bashkuara zotoheshin se do ta mbështesin OKB-në në mënyrë që ajo të bëhej një forcë më efektive për paqen në botë. “Kombet e Bashkuara kanë ndihmuar në avancimin e qëllimeve mbi të cilat u themeluan në shumë mënyra: duke ushqyer të pangrënët, duke siguruar mbështetje në katastrofa natyrore dhe duke fuqizuar rolin e grave dhe vajzave në shumë shoqëri në të gjithë botën. Por megjithatë, gjatë viteve të fundit, Kombet e Bashkuara nuk kanë arritur potencialin e tyre të plotë për shkak të burokracisë dhe keqmenaxhimit. Ne nuk po shohim rezultate në përputhje me investimin që po bëjmë” tha zoti Tramp.
Presidenti amerikan gjithashtu i kërkoi OKB-së të fokusohet më shumë tek njerëzit dhe më pak tek burokracia, si dhe të mos përdoren më mënyrat që në të shkuarën nuk kanë funksionuar. Zoti Tramp, i cili e pati kritikuar OKB-në gjatë fushatës së tij presidenciale, iu rikthye sërish ankesës se Shtetet e Bashkuara po mbajnë një barrë të madhe sa u takon kostove të aktiviteteve të kësaj organizate. “Duhet të sigurohemi që asnjë anëtar nuk do të të mbajë mbi shpatulla një pjesë joproporcionale të barrës, si nga ana ushtarake ashtu edhe nga ana financiare” tha ai.
Në vitin 2015, Shtetet e Bashkuara financonin 22 përqind të buxhetit të OKB-së dhe 28 përqind të kostos së misioneve paqeruajtëse. Nën presionin e administratës Tramp, Kombet e Bashkuara shkurtuan këtë vit buxhetin e tyre me më shumë se 500 milionë dollarë.

Sicred