KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trajnerja femër në Sudan stërvit ekip meshkujsh

Trajnerja femër në Sudan stërvit ekip meshkujsh

Në Sudan, ku një ekip kombëtar i futbollit të femrave mbetet një ëndërr e largët, Salma al-Majidi e dinte se mënyra e vetme për të marrë pjesë në sportin e saj të dashur ishte trajnimi, e lojtarët duhej të ishin meshkuj. Majidi, 27 vjeç, e pranuar edhe nga FIFA është gruaja e parë arabe nga Sudani, që trajnon një ekip futbolli meshkujsh në botën arabe, një sport që dominon në rajon. “Pse futbolli? Sepse është dashuria ime e parë dhe e fundit”, ka thënë Majidi, e veshur me kostum sportiv dhe me një shami të zezë në kokë, ndërsa po drejtonte skuadrën Al-Ahly Al-Gadaref. “U bëra trajnere sepse ende nuk ka hapësirë ​​për futbollin e femrave në Sudan” – tha Majidi, e cila nga futbollistët e ekipit quhet “trajnere motër”. Vajza e një polici në pension, ishte 16 vjeç kur u dashurua me futbollin. Fillimisht kishte shkuar për të parë shokët e vëllait të saj ndërsa bënin stërvitje. Atje ishte mahnitur nga udhëzimet e trajnerit, lëvizjet e tij, ndërsa vendoste piketat për të bërë ushtrimet. “Në fund të çdo sesioni trajnimi, unë diskutoj me trajnerët e tjerë për teknikat e reja që përdorin për të trajnuar futbollistët”, shtoi më tej Majidi, ndërsa po vëzhgonte lojtarët e saj duke u stërvitur në një ditë të nxehtë në terrenin me pluhur në Gadaref. Aktualisht ajo mban simbolin afrikan “B”, që do të thotë se ajo mund të trajnojë çdo ekip të ligës së parë në të gjithë kontinentin. “Sudani është një komunitet ku disa fise ende besojnë se roli i një gruaje kufizohet vetëm në shtëpinë e saj”, tha Majidi, e diplomuar në menaxhim biznesi. “Ishte një futbollist, i cili në fillim nuk pranoi të më dëgjonte në stërvitje. Ai i përket një fisi që besonte se burrat kurrë nuk duhet të marrin urdhra nga gratë”, tha ajo. – Por pas disa muajsh ai më në fund më pranoi si trajnere. “Mesazhi im për meshkujt në përgjithësi është që t’u japin femrave një shans për të bërë atë që duan”, tha ajo pas një séance stërvitore.

Sicred