KRYEFAQJA » LAJME » Trajneri i kuqezinjve të koshit vlerëson lojën përtej humbjes në Holandë

Trajneri i kuqezinjve të koshit vlerëson lojën përtej humbjes në Holandë

Shqipëria e ka humbur edhe ndeshjen e dytë në kuadër të grupit B të paraeliminatoreve të Botërorit 2019, duke u mundur 77-91 në Holandë nga përfaqësuesja vendase, por trajneri kuqezi, Antonis Konstantinides, ka vlerësuar atë që skuadra e tij dha në parket. “Ndeshja me Holandën ishte krejt ndryshe nga ajo me Austrinë, sepse ne e përgatitëm atë ndryshe mendërisht dhe taktikisht dhe lojtarët u përgjigjën në një përqindje të madhe për atë që ne kërkuam prej tyre. Në fakt, për mua, kjo gjysmë e parë ishte loja më e mirë që kemi zhvilluar që kur kam marrë drejtimin e kësaj skuadre dhe kjo më ka bërë të lumtur, sepse treguam personalitet të jashtëzakonshëm si skuadër, treguam një cilësi loje që nuk e kishim dhënë deri më tani. Fatkeqësisht, drejt fundit të ndeshjes, ne nuk patëm rendimentin e duhur në sulm dhe humbën përqendrimin në mbrojtje. Megjithatë, përtej dëmtimeve që na kanë goditur këtë verë, skuadra tregoi dëshirën për të luftuar, sidomos në fushë të huaj, duke kryesuar ndaj Holandës për më tepër se 30 minuta. Prandaj jam i lumtur për lojtarët e mi, sepse ndryshuan gjithçka dhe ndoqëm udhëzimet e mia, në krahasim me ndeshjen me Austrinë, ku asgjë nuk shkoi sipas planit dhe pamë atë rezultat që pamë në Tiranë”. Për qipriotin e stolit kuqezi, kjo paraqitje jep shpresë. “Sigurisht që jam i kënaqur, sepse nuk është e lehtë për një përfaqësuese si ajo e Shqipërisë të luajë aq mirë në fushë të huaj për aq gjatë sa ç’bëmë ndaj Holandës. Kjo na jep besim në vetvete për ndeshjen me Austrinë të shtunën, por edhe për atë me Holandën në Tiranë. Personalisht, nuk u çudita shumë nga kjo paraqitje sepse kam besuar gjithmonë tek skuadra ime dhe lojtarët e mi dhe ata thjesht duhet të sillen sa më profesionalisht, si para, ashtu edhe gjatë ndeshjes dhe rezultati nuk do të mungojë”. Për këtë arsye, Konstantinides synon një rezultat pozitiv me Austrinë. “Unë druaj se ndeshja e kthimit me Austrinë do të jetë mjaft më e vështirë sesa ajo në Tiranë, sepse tanimë austriakët e kanë parë sesa e luftuar ishte ndeshja jonë në Holandë. Megjithatë, kjo u përket kundërshtarëve dhe unë dëshiroj të merrem vetëm me skuadrën tonë dhe do të jetë një sukses nëse do të përsësitim atë që bënë në gjysmën e parë në Amsterdam. Mos harroni këtu se skuadra jonë është e re në përbërje, por, nëse luajmë siç luajtëm në Holandë, kemi shanse në ndeshjen e kthimit. Shpresoj që këtë radhë, ndeshja të shkojë pikë për pikë dhe në fund mund të bëjmë diçka, ndonëse do të jetë e vështirë. Skuadra beson sërish tek vetja, sepse përndryshe nuk do të bënte atë paraqitje që bëri në Holandë, dhe unë pres që ajo të tregojë personalitet dhe karakter në ndeshjen e së shtunës”. Takimi Austri-Shqipëri, që do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 16:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred