KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tragjedia “Makbeth” në Teatrin Kombëtar

Tragjedia “Makbeth” në Teatrin Kombëtar

Regjisori Kledi Kapexhiu ka plotësuar një ëndërr të vjetër mbrëmjen e 9 Marsit në Teatrin Kombëtar; të sjellë në skenën shqiptare për herë të parë një prej tragjedive të famshme shekspiriane “Makbeth”-in. Premiera ishte krejtësisht tjetër gjë përpos teatrit klasik duke tejkaluar pritshmëritë e publikut. Një konceptim regjisorial si film brenda teatrit ku forma dhe permbajtja kornizoheshin drejt minimalizmit e ku aktorët na përcillin lojën e pushtetit si një vallë e përgjakur në rewind.
“Kjo është përmbyllja e një përpjekjeje të gjatë timen, stafit të ngushtë krijues, trupës teatrore të Teatrit Kombëtar, për të sjellë një pjesë e cila përpiqet të sjelli një histori sa antike aq dhe bashkëkohore. E gjitha kjo vjen nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë e të pastër e cila përpiqet të pëshpërisi fjalën” thotë Kled Kapexhiu regjisor.
Indrit Çobani dhe Luli Bitri vinin në petkat dhe psikën e Makbethit dhe Ledi Makbethit duke sjellë një simbiozë gjakatare të etur për pushtet aq sa ndarja mes një burri dhe një gruaje shpesh ishte e padukshme, duke u shndërruar në një qënie të vetme.
“Jam përpjekur të pastroj mjetet skenike deri në thelbin e tyre. Të marr e ti gërshetoj me njëri tjetrin për të mundur që të ecin në një kohë. Makbeth dhe Ledi Makbeth janë gjysma të një të tërë. Një është vullneti tjetri është krahu veprues i cili kryen krimet. Unë ja ve theksin dashurisë së këtyre të dyve që bëhen një” thotë Kledi Kapexhiu.
“Makbeth” është tragjedia e shkruar nga William Shakespeare dhe mendohet të jetë vënë në skenë për herë të pare në vitin 1606. Ai dramatizon dëmtimet psikologjike dhe fizike të shkaktuara nga ambicia politike dhe të artyre që e duan pushtetin për interesat e tyre. Në vallen e pushtetit në kostumet dhe maskat e spikatura nga Gerta Oparaku shfaqeshin personazhet e tragjedisë të interpretuar nga kasti i aktorëve Arben Derhemi, Neritan Licaj, Laert Vasili, Suela Bako, Egla Ceno, Genti Deçka, Xhino Musallari etj.

Sicred