KRYEFAQJA » LAJME » Trafiku i drogës, arrestohen policë e doganierë

Trafiku i drogës, arrestohen policë e doganierë

Katër zyrtarë të tjerë të policisë dhe të doganës u arrestuan me kërkesën e prokurorisë së krimeve të rënda për 2.5 tonët e kanabisit të sekuestruara në Ankona të Italisë në muajin janar. Nga hetimet e organit të akuzës rezulton se dy efektivët e policisë së portit të Durrësit Gëzim Dervishi, e Agron Kapllani, si edhe doganierët Altin Katundi, e Mikail Hila krijuan kushtet që sasia e kanabisit e ngarkuar në kamion të kalonte lirisht në këtë port.
Ndërkohë mbrëmjen e së martës Festim Lelaj, një efektiv policie nga Vlora, por me detyrë nënkomisar në drejtorinë e Fierit, është arrestuar i dyshuar si personi që ka organizuar trafikimin e kësaj sasie droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Hetimi i kësaj dosje është udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, dhe sipas akuzës Lelaj nuk është organizator i trafikut të 2.5 ton droge me kamion përmes Portit të Durrësit, por persona të tjerë fshihen pas tij.
Në janar të 2017 ngarkesa i kaloi të gjitha pengesat dhe kontrollet në Portin e Durrësit, ndërsa u pikas nga autoritetet italiane në Ankona ku u arrestua drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj.
Arrestimi i kamionistit çoi në zbërthimin e rrjetit kriminal të trafikut të drogës, në krye të cilit qëndronte pikërisht oficeri i policisë së Fierit. Krahas, drejtuesit të lartë të policisë së Fierit, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi edhe për dy persona të tjerë, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa të shpallur në kërkim. Ndërsa kohë më parë janë prangosur edhe Demo Progonati, Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit “arrest në burg”.

Sicred