KRYEFAQJA » LAJME » Totozani: Ndaloni administratën në fushatë!
Totozani: Ndaloni administratën në fushatë!

Totozani: Ndaloni administratën në fushatë!

Avokati i Popullit, Igli Totozani i ka rekomanduar Ministres së Inovacionit dhe Adminsitratës Milena Harito si dhe gjithë kryebashkiakëve të vendit, të marrin masat për të mos lejuar përfshirjen e punonjësve të tyre gjatë orarit zyrtar në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme që nis së shpejti.  “Avokati i Popullit, do të dëshironte që ky rekomandim, nga ana juaj të mund të interpretohet si një mesazh mirëkuptimi me interes të përbashkët, në të mirë të respektimit të ligjshmërisë në veprimtarinë e përditshme të administratës publike, si dhe për më tepër për një rritje të përgjegjshmërisë në ofrimin e shërbimeve të përditshme ndaj qytetarëve” bëhet e ditur në mesazhin e zotit Totozani. Ai nënvizon se nëse do të konstatohen raste konkrete, të merren masa disiplinore në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës apo Nëpunësit Civil.
Çështja e përfshirjes së punonjësve të administratës në fushatat zgjedhore, kanë qenë vazhdimisht në qendër të debateve mes maxhorancave në pushtet dhe opozitave. Së fundi opozita e djathtë ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Rama se po përgatitet mes presionit të përfshijë punonjësit e administratës dhe veçmas mesuesit dhe nxënësit e shkollave në fushatën zgjedhore.
Kryeministri Rama ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Ai e ka përfshirë kontrollin e këtyre institucioneve në paketën që i është ofruar opozitës për të monitoruar zgjedhjet. Pak ditë zoti Rama kishte urdhëruar pushimin nga puna të një mësuesje e cila kishte ftuar nxënësit në një aktivitet të kryeministrit në Fier.

Sicred