KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tonin Arapi, kompozitori më frymëzues

Tonin Arapi, kompozitori më frymëzues

Është cilësuar si mjeshtri i lirikës dhe babai i romancës në historinë e muzikës shqiptare. Kompozitori Tonin Arapi ndër dekada ka qenë një ndër kompozitorët dhe muzikantët me frymëzues, dhe përjashtim nga kjo nuk bën edhe pianistja Merita Rexha Tershana e cila risjell në skenë, pas shumë vitesh, koncertin për piano të tij. “Kam një lidhje shumë të hershme me të madhin Tonin Arapi. Kur kam qenë në klasë të parë kam dëgjuar në korridoret e shkollës një vals të Tonin Arapit, muzikë e bukur, e thjeshtë, e qartë. Në atë moment unë vendosa që të bëhem pianiste.” Finalizimi i disa ditëve aktivitete ideuar nga profesor Isak Shehu, në nder të kompozitorit, kulmon me koncertin në sallën e Universitetit të Arteve me orkestrën e studentëve ku në program ngjiten pjesë nga Tonin Arapi si dhe Bernstain teksa orkestra drejtohet nga dirigjenti Glen Cortese. Merita Rexha Tershana vijon: “Tonin Arapi është kompozitor që i përket rrymës së post-romanticizmit. Gjëja e përbashkët që kanë të dy është se janë kompozitorë të shekullit të 20-të. Kanë ngjashmëri edhe në meloditë e bukura, por janë edhe të ndryshëm padyshim, pasi janë rritur në vende të ndryshme.” Cilësuar ndryshe si ‘Chopin-i shqiptar’, kompozitori Tonin Arapi ka lënë pas një trashëgimi të tërë veprash për piano e vokal. Ai është quajtur mjeshtër i lirikës, i njohur për rapsodinë e famshme numër një, koncertin numër një për piano dhe orkestër, si dhe për shumë vepra të tjera.