KRYEFAQJA » LAJME » Tola bën “prapakthehu” dhe niset drejt Koresë
Tola bën "prapakthehu" dhe niset drejt Koresë

Tola bën “prapakthehu” dhe niset drejt Koresë

Ka rezultuar një fiasko kërcënimi për mospjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore nga ana e skiatorit Erjon Tolës. Të dielën në mesditë ai është nisur për në Kore të Jugut. Një gjë e tillë e ka pohuar vetë 31-vjeçari, i cili, në një komunikim të shkurtër elektronik, ka sqaruar ekskluzivisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se ka vendosur të jetë në Olimpiadën e Pjongçengut. “Jam në avion, duke shpresuar që të mbajnë fjalën që do të ridiskutojnë çështjen e trajnerit”, – ka thënë skiatori kuqezi për RTSH-në. Deklarata e tij është një kthesë 180-gradëshe nga deklaratat e tij të 24 orëve më parë.
Përtej një ceremonie të dorëzimit të flamurit kombëtar, të mbajtur të premten në presidencë midis buzëqeshjesh dhe fotove të rastit, Tola ka çuditur shumëkënd teksa dalë të shtunën në mediat shqiptare me një deklaratë se nuk do të shkonte në Olimpiadë nëse nuk i paguhej trajnerit një shumë prej 2,000 eurosh për kohën e pjesëmarrjes në “Pjongçeng 2018”-të. Në një komunikim të shtunën në mbrëmje me Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga Italia, ku ndodhej në prag të nisjes për në Kore të Jugut, sportisti pati theksuar se ende nuk kishte vendosur përfundimisht nëse do të merrte apo jo pjesë në Olimpiadë.
Megjithatë, të dielën në mesditë ai ka konfirmuar se po udhëton drejt Koresë së Jugut, bashkë me trajnerin e tij. Një gjë e tillë e ka konfirmuar edhe Komiteti Olimpik Shqiptar, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Bello, i cili ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se sportisti ka nënshkruar një kontratë, të cilës duhet t’i përmbahet. “Ne i kemi plotësuar të gjitha detyrimet tona, duke i siguruar për dy vjet sportistit një bursë 1,000-euroshe në muaj, të cilat ai i ka ndarë me trajnerin e vet, – ka sqaruar Bello, nëpërmjet linjës telefonike. – Prandaj ishte e papritur kjo sjellje e sportistit, që sidoqoftë, tanimë është kapërcyer si problem dhe ai ka udhëtuar drejt Koresë së Jugut.”

Sicred