KRYEFAQJA » LAJME » Tokat e Divjakës, nevojë urgjente për ujitje

Tokat e Divjakës, nevojë urgjente për ujitje

Tokat e Divjakës po thahen për ujë. Shumë kanale vaditëse nuk ekzistojnë, ndërsa ato që janë nuk kanë ujë. Kryesisht fushat e Terbufit dhe të Çermës, të mbjella me misër, jonxhë e fasule kanë nevojë urgjente për vaditje. Fermerët pohojnë se në shumë raste kanalet nga mospastrimi për shumë vite janë mbuluar nga dherat, duke u kthyer në tokë bujqësore. “Kanali siç duket nuk është përfunduar as për kullim, e jo më për vaditje. Nuk ekziston. Na thonë do i sjellim sot, do ti sjellim nesër, por askush nuk sjell ujin. Vetëm për vota na duan ne e na japin vëmendje ne. ” Këto sipërfaqe toke në dimër mbyten dhe në verë thahen për ujë. Në këto kushte shumë fermerë janë në vështirësi financiare, pasi bujqësia për to është burimi i vetëm i të ardhurave. Të tjerë fermerë dhe njekohësisht banorë të zonës shprehen për mikrofonin e RTSH-së: “Nuk është kthyer demokracia. Ne jemi në dorë të Zotit. A na jep nai kokërr misër mirë, po sna dha… Kemi 28 vjet demokraci dhe skemi marrë asnjë ndihmë nga shteti.” Momentalisht disa kanale të dyta dhe të treta janë pastruar, por nuk mund të mbushen me ujë për shkak të mungesës së një rrjeti furnizues nga kryesoret. Gjithashtu në këto zona mungojnë edhe kanalet kullues, shumica e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.