KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, shtohen kërkesat për regjistrime në çerdhet publike

Tiranë, shtohen kërkesat për regjistrime në çerdhet publike

Çerdhet dhe kopshtet publike në Tiranë ofrojnë sot infrakstrukturë bashkëkohore, ndërsa kërkesat për të regjistruar fëmijët në to kanë shënuar rritje. Edhe tarifa e përballueshme duket se është një faktor shtesë. Për akomodimin në çerdhe të një fëmije pagesa është 130 lekë/dita, ndërsa në kopsht 160 lekë/dita. Pa përmendur lehtësitë për kategori të veçanta. Por pavarësisht kërkesave në rritje, drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri, thotë se është vendosur një standard sa i përket numrit të fëmijëve për çdo grup. Në 32 çerdhe publike që ka sot Tirana akomodohen afro 2500 fëmijë, ndërsa numri i edukatoreve është shtuar, duke shkuar në 390. Çerdhet apo kopshtet private janë alternativë për disa prindër, ndonëse çmimi nis nga 5herë më shtrenjtë se në institucionet publike. Privatët ofrojnë shërbim edhe në ditët e pushimit e në mjaft raste sigurojnë edhe transportin. Me ndryshimet administrativo-territoriale, Tiranes i janë shtuar zona të reja, ku mungojnë kopshtet e çerdhet publike. Në zonën e Freskut, kjo është një arsye që i pengon prindërit të zgjedhin institucione publike. Në 2015 Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e sipëmarrjes rikonstruktoi çerdhet e kryeqytetit, e një vit më pas edhe kopshtet, ndërsa pritet që të nis edhe shtimi i institucioneve publike të edukimin në lagjet e reja të Tiranës.