KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, nis pagesa e parkimit me SMS
Tiranë, nis pagesa e parkimit me SMS

Tiranë, nis pagesa e parkimit me SMS

Bashkia e Tiranës ka hedhur një hap të madh drejt lehtësimit të pagesave të parkimit. Që prej 27 shkurtit, cilido që do të parkojë në rrugët e qendrës së Tiranës, e njohur si zona A, do ta kryejë pagesën me anë të celularit. Mjafton që targën e makinës ta nisësh me anë të një SMS-je në numrin 50500 dhe pagesa është kryer. Tarifa është 100 lekë në orë. Kjo konfirmohet nëpërmjet një mesazhi që vjen në numrin tuaj. 15 minuta para përfundimit të kohës një tjetër SMS ju kujton se koha po mbaron.
Për kreun e bashkisë Erion Veliaj, zbatimi i këtij projekti shënon fillimin e një etape modernizimi për Tiranën. “Jemi ndoshta i vetmi kryeqytet në Europë, i cili nuk e ka modernizuar sistemin e parkimit. Të parkosh me para në dorë nuk është as transparente, por as moderne” tha ai. “Duke shtuar opsionin e pagesës elektronike, sot jemi në nivelin e shumicës së kryeqyteteve moderne evropiane, ku të gjitha pagesat bëhen në mënyrë elektronike” shtoi zoti Veliaj. Kreu i bashkisë së kryeqytetit pranoi se “Kjo është mënyra e vetme se si në një qytet me 200 mijë makina dhe 4 mijë vende parkimi, mundohemi të racionalizojmë vendet e parkimit”. Ndërkaq  kontrolli i targave do të bëhet në mënyrë elektronike. Çdo inspektor pajiset me një aparat, me të cilin kontrollon targat e mjeteve që e kanë paguar ose jo parkimin.
Zoti Veliaj ndërkohë e konsideroi këtë hap si rritje të transparencës së të ardhurave. “Bashkia e Tiranës është bashkia e parë në Republikën e Shqipërisë që, edhe për pagesa modeste siç është parkimi, mënjanon kontaktin njerëzor, heq inspektorët, ul abuzimet etj”. Ai tha se çdo e ardhur që vjen nga parkimi do të shkojë për të bërë punë publike në qytet dhe për mbjelljen e pemëve në Pyllin Orbital i cili do ti shtojë gjelbërimin Tiranës.