KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, nis pagesa e parkimit me SMS

Tiranë, nis pagesa e parkimit me SMS

Në Tiranë 60% e vendparkimeve në rrugët kryesore janë me pagesë. Agjencia Tirana Parking u ka ofruar drejtuesve të automjeteve një formë të re për të kryer pagesën përmes teknologjisë, që fillimisht po aplikohet në zonën A, ku tarifimi është 100 lekë/orë. Rruga “Myslym Shyri” në kryeqytet është ndër të parat ku mund të paguani vendparkimin nëpërmjet një mesazhi telefonik. Mjafton të dërgoni targën e automjetit në numrin 50500 dhe kjo pagesë është kryer.

Inspektorët e Tirana parking apo punonjësit e policisë bashkiake në kohë reale mund të verifikojnë nëse automjetet e parkuara që nuk janë të pajisur me biletë e kanë kryer pagesën. “Me anë të tabletës ne mund të verifikojmë duke futur vetëm targën e automjetit dhe na del në sistem edhe sa minuta mund ti kenë mbetur. Ky automjet momentalisht ka edhe 43 minuta kohë që mund të qëndroje në parking” tha njëri nga inspektorët e Tirana parking.

15 minuta përpara përfundimit të kohës së paguar për parkimin, drejtuesi i mjetit njoftohet me mesazh në telefon. Nëse ai e kalon kohën e paguar mund të gjobitet nga 1000-3000 lekë të reja. Në 2016 të ardhurat e Bashkisë nga Parkimi shkuan 300 milion lekë, me shumë se 4 fishi i një viti më parë. Ndërsa në 2017 në buxhetin e Bashkisë së Tiranës parashikohet që të ardhurat nga tarifat e parkimit të rriten me 50 %, duke shkuar në 450 milion lekë.