KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, gjithmonë e më pak hapësira për të parkuar

Tiranë, gjithmonë e më pak hapësira për të parkuar

Në 71 rrugë kryesore të Tiranës prej dy vitesh pjesa më madhe e vendparkimeve janë me pagesë. Për banorët që jetojnë pranë këtyre rrugëve parkimi i automjeteve është një vështirësi e përditshme. Banorët e këtij pallati pranë sheshit Italia mendonin se e kishin zgjidhur problemin e parkimit në anë të rrugës deri 2 muaj më parë kur Drejtoria e Transportit pranë Bashkisë së Tiranës vendosi tabelën e ndalimit të parkimit. “Ne e shfrytëzojmë që kur kanë mbaruar pallatet, në 2009-2010. Po njëkohësisht unë jam dhe pronari i njohur i asaj toke”. Sipas drejtorisë së transportit pranë bashkisë, rruga Skerdilajd Llagami është me dy sense lëvizje dhe gjerësia e saj rreth 5 metra nuk është e mjaftueshme për parkim. Përveç kësaj parkimi në anë të rrugës pengon lëvizjen e këmbësorëve. Por banorët thonë se përpara se merrej masa për vendosjen e tabelës së ndalimit të parkimit, atyre do t’u ishte ofruar parkimi i rezidentëve.  “Gjithë kjo zona ktu nuk ka parkinge ose ka por janë të gjithë me pagesë që do të thotë është 1000 lekë ora, për 8 orë i bie 8000 lekë , po ta lësh 24? Duhet të bëhet një parking për rezidentët, pastaj të fillonin të vendosnin tabelat” u shpreh një banor i kësaj lagjeje. Parkimi i rezidentëve nisi si projekt pilot vitin e kaluar, por ende nuk ka mbuluar çdo lagje të kryeqytetit.