KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tirana në Bienalen e Arkitekturës në Venecia

Tirana në Bienalen e Arkitekturës në Venecia

Shqipëria në Bienalen e 16-të ndërkombëtare të arkitekturës në Venecia do të prezantohet me Tiranën nën titullin “TiranaZeroSpace”. Vibrimi i qytetit në “hapesirën zero” është një studim mbi jetën që krijon qytetari në katet përdhese. Ai sjell edhe një element arkitekturor që është kthyer në një karakteristikë të qytetit. Një grup studiosh arkitekturore jo vetëm përfaqësojnë Shqipërinë në këtë bienale, por edhe një studim të mirëfilltë mbi burimet e qytetit.

Në këtë projekt Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës janë në të njëjtën varkë që të dërgon në një përfaqësim dinjitoz të Tiranës në Bienalen e Venecias. “Është një pavion që në mënyrë urbane, arkitekturore, por edhe artistike i jep hapsirë katit “Zero”, që ne në shqip i themi katit përdhes, atje ku zhvillohet gjithçka” tha ministrja e kulturës Mirela Kumbaro.
Për kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj “fakti që ka pritshmëri të larta dhe fakti që atë që ne nuk e kemi dot në ekonomi, financë, popullatë e kompensojmë me dije, me gjetje”.

Ndërkaq arkitektet pjesëmarrës shpjegojnë në detaje pse kanë zgjedhur fenomenin e katit përdhes si një element që nxit jetën dhe vibrimin e qytetit. Jurtin Hajro thotë se “…është një fenomen me njeriun në qendër, siç interpretohet hapsira e lirë, me njeriun si transformues dhe programues dhe si hapsirëformues në qytetin ku ai jeton”.

Pavijoni i Shqipërisë në Bienalen e Venecias do të çelet me 26 maj dhe në 6 muaj parashikon një interes të botës së arkitekturës dhe medias europiane pikërisht mbi rijetëzimin e hapësirës zero si një element zhvillues i një qyteti.

Sicred