KRYEFAQJA » LAJME » Tirana e para në Ballkan me biçikleta pa stacion
Tirana e para në Ballkan me biçikleta pa stacion

Tirana e para në Ballkan me biçikleta pa stacion

Në Tiranë nisi sot zyrtarisht funksionimi i sistemit i biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”, duke e bërë kryeqytetin shqiptar të parin me këtë shërbim në Ballkan. “Smart Bike Share” është një mënyrë e re dhe ekologjike për të lëvizur në qytet. “Kanë kaluar vetëm 3 vjet, jo vetëm Tirana është qyteti më i pastër, por jemi ende të parët në Ballkan, duke filluar nga biçikletat, te taksitë elektrike dhe te shumë risi të tjera që na e bëjnë Tiranën tonë Nr. 1” tha kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, një ndër iniciatorët e këtij projekti. “Sot nëse udhëton në Firence, nëse udhëton në Milano dhe nëse udhëton në Tiranë, ndoshta nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, por “Mobike” është njësoj kudo. Kemi një copë Europë duke filluar nga ky projekt i biçikletave pa stacion që sot nis me 500 dallëndyshet e para në qytetin tonë të dashur, në qytetin e Tiranës” shtoi zoti Veliaj.
Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin “Mobike” në celularin tuaj. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt. Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e “barcode” të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës. Pasi përfundoni udhëtimin tuaj, mjafton ta mbyllni sërish atë me kyçin që ndodhet në rrotën e pasme dhe parkojeni në një vend të sigurt, që nuk pengon lëvizjen.
Por kreu i Bashkisë Erion Veliaj ka dhënë edhe më shumë hollësi. Ai tha se biçikletat “Mobike” ofrojnë një proces transparent pagese dhe mjaft të thjeshtë, duke i bërë të aksesueshme për gjithëkënd. “Mjafton që secili të shkarkojë aplikacionin Mobike, të plotësoni të dhënat tuaja dhe me një kosto që është më e lirë sesa një biletë autobusi mund të bëheni përdorues të Mobike. Fati i mirë është që sistemi nuk kërkon një stacion, e merrni ku gjeni në hartë biçikletën më të afërt dhe pastaj e lini aty ku keni mbaruar punë” sqaroi zoti Veliaj.
Krahas ardhjes së 4 mijë biçikletave në Tiranë që pritet të transformojnë tërësisht edhe kulturën e transportit në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon intensivisht edhe për ndërtimin e rrjetit minimal të rrugëve të dedikuara për biçikleta në kryeqytet, si një mënyrë për të garantuar jetën e të gjithë pedaluesve.
Të gjitha biçikletat e “Smart Bike Share”janë të pajisura me të gjithë elementët e sigurisë që garantojnë mosvjedhjen e tyre. “Të gjitha biçikletat kanë një GPS, pra ne e dimë ekzaktësisht ku ndodhet biçikleta sepse del në hartë dhe e dimë kush ka qenë përdoruesi i fundit. Kështu që për këdo që mund të mendojë të vjedhë biçikletën, mos e provoni se nuk funksionon. E dimë kush jeni dhe e dimë ekzaktësisht ku është biçikleta. Fakti që në javën e parë nuk kemi pasur asnjë guximtar është një gjë e mirë se do të thotë që sistemi po funksionon” tha i entuziazmuar kryetari i bashkisë Erion Veliaj. “Jo vetëm kaq, por sistemi ka një lloj gardhi elektronik. Do të thotë në momentin që dilni jashtë hartës së Tiranës, pra kaloni Kthesën e Kamzës apo kaloni Kombinatin, apo kaloni periferinë e Tiranës ndizet një alarm që ju çmend kështu që ju shohin të gjithë kush ka marrë biçikletë dhe po ikën në shtëpi” paralajmëroi ai.

Sicred