KRYEFAQJA » LAJME » Nga Tirana e godinave të ulta te Tirana e kullave

Nga Tirana e godinave të ulta te Tirana e kullave

Në fillimet si kryeqytet i Shqipërisë, Tirana i ngjante më shumë një fshati stërmadh. Ndërtesat ishin përgjithësisht të ulta, deri në katër ose pesë kate. Në vitet ’30, në bulevardin kryesor ndaloheshin me ligj ndërtimet e larta. Në dekadat që do të vinin Tirana do të transformohej. Deri në vitin 1990 Hotel Tirana Internacional, i njohur ndryshe si 15-katëshi ishte ndërtesa më e lartë në Tiranë. Sot ajo duket një miniaturë para disa ndërtesave gati dy herë më të larta që janë ndërtuar në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Dhe kjo histori duket se do të vazhdojë. Më 15 prill Këshilli Kombëtar i Territorit, bashkë me planin e ri urbanistik të Tiranës miratoi edhe 2 leje ndërtimi për godina shumëkatëshe, njëra pas Hotel Tirana Internacional dhe tjetra në Bulevardin Bajram Curri. Bashkia e Tiranës e kishte paralajmeruar faktin se kullat në Tiranë do të shtoheshin. Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë prezantimit të planit urbanistik dha këtë argument: “Midis ajrit dhe tokës kemi të kufizuar tokën. Më mirë shko sipër dhe na liro tokë, ku të luajnë fëmijët, ku të mbjellim pemë, ku të kemi hapsira të gjebërta, pa ta mohuar të drejtën kushtetuese të zhvillosh pronën tënde” tha ai.

Por a janë ndërtesat e larta shprehje e modernes në urbanistike? A i shërbejnë ato një qyteti si Tirana? Urbanistët, me të cilët kemi biseduar thonë “Jo!”.

“Kullat historikisht kanë treguar jo aspiratën e shoqërisë, por aspiratën e investitorëve të caktuar për të maksimalizuar fitimet e tyre” thotë urbanisti Flamur Kuçi. “Tirana nuk është qytet që do ta përballojë mirë historinë e kullave dhe të përqëndrimit të popullatës në këto nivele. Kjo do të japi impakte negative” shton ai.

Për urbanistin Kristi Andoni, “Të ndërtosh brenda qytetit ka vetëm një arsye: është interesi ekonomik. Ata që i ndërtojnë kullat atje nuk ju bëhet vonë për qytetin, por janë të sigurt për një gjë: Janë të sigurt për shitjen dhe janë të sigurt që çfarëdo që të bëjnë atje, qoftë edhe një gjë e shëmtuar, është brenda qytetit që vlerat i ka të çertifikuara” thotë zoti Andoni.

Në këndveshtrimin urbanistik, si do të duhej të zhvillohej një qytet si Tirana, me dendësi të madhe popullsie në qendër, me trafik të ngarkuar, me infraksturkturë të projektuar për një numër shumë herë më të vogël banorësh?

Urbanisti Kristi Andoni mendon se “…është gabim që ndërtimet të përqëndrohen në një zonë që ne e kemi të trashëguar dhe nuk kemi të drejtë t’a prekim. Përqëndrimi është pikërisht tek Tirana historike. Nëse është një potencial i tillë ndërtues, politikbërja ka një shans të madh të ngelet në historinë e zhvillimit të qytetit. Ajo duhet ta orientojë atje ku është më mirë dhe në favor të qytetit” thotë urbanisti Andoni.

Për urbanistin Falmur Kuçi, “Tirana ka sot mundësi, ka nevojë për zgjidhje që të relaksojë pak përqëndrimin e popullatës në lagje të caktuara, ndërkohë që kullat kanë efektin e kundërt”.

Përvoja e dekadës së fundit ka dëshmuar se ndërtimi i kullave është i realizueshëm. Por çështja mbetet a do ta bëjnë ato jetën më cilësore për banorët e këtij qyteti?

Sicred