KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Tinguj Kinemaje”

“Tinguj Kinemaje”

TINGUJ KINEMAJE – Viti 2018 i shpallur si Vit i Skënderbeut, do të dhurojë për shqiptarët aktivitete të ndryshme  kulturore dhe historike dedikuar figurës heroike kombëtare shqiptare, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Frymëzuar nga ky vit historik, instrumentistë nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, bëhen bashkë për të dhuruar emocione dhe për të zgjuar kujtime me shfaqje muzikore në qytete shqiptare.

Në kuadër të këtij viti historik,  SINFONIETTA E RTSH-së do të sjellë në këtë muaj aktivitetin kulturor “ Tinguj Kinemaje” me pjesë nga muzika më e bukur e filmave shqiptar e të huaj.  Këto koncerte synojne të afrojnë pranë zonave urbane me lëvizshmëri e frekuentim të lartë, publikun shqiptar dhe të huaj, të cilët dëshirojnë të njohin destinacionet kulturore e natyrore të Shqipërisë, si dhe të përjetojnë autenticitetin e tyre ende të pazbuluar.

Sigurisht, mbetet prioritare joshja dhe njohja e këtij auditori vendas dhe të huaj me vlerat e panumërta të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve, duke prekur emocionet, por edhe duke i ekspozuar ato ndaj një arti kompleks e të bukur.  “Tinguj Kinemaje” do të zhvillohet në qytetet si: Berat, Pogradec, Durrës, Vlorë, Fier, Gjirokaster dhe Tirane me një koncept shumëdimensional duke gërshetuar  turizmin kulturor, mjedisin e artin. Formacioni me eksperiencë shumëvjeçare profesionale, është pjesë vitale e jetës artistike shqiptare, me një aktivitet të gjatë artistik në mjedise kombëtare e mbarëkombetare.

Nën drejtimin artistik të Aristidh Prosi dhe dirigjimit të Gridi Kraja, trupa e orkestrantëve të Rtsh-së sjellin për publikun shqiptar “Tinguj Kinemaje” me media partner  Radio Televionin Shqiptar.

Me një program të ngjeshur artistik duke kujtuar filma shqiptar si: “Lulkuqe mbi mure”, “Dimri i fundit”, “Dora e ngrohtë”, “Shtëpia jonë”, “Në fillim të verës”. Kolona zanore të kinemasë botërore: “Cinema Paradiso”, “ Gladiatori ”, “Shindler List”, “Murgeshat Gazmore”,  “ Maska e Zorros”, si edhe muzikë klasike “ Vals Nr2. Shostakovic”, etj…

Sinfonietta e Rtsh-së fton publikun shqiptar e të huaj drejt të vetmit destinacion, Artit dhe Kulturës Shqiptare! Më datë 06 gusht 2018 ora 20.30 në Berat dhe më datë 07 gusht 2018 ora 20.30 në Pogradec.

 

Sicred