KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi-Vuçiç takim trepalësh me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini
Bruksel, Thaçi dhe Vuçiçi takohen në Bruksel

Thaçi-Vuçiç takim trepalësh me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, do të zhvillojë këtë javë një takim trepalësh me presidentin e Kosoves Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit e shefes së diplomacisë europiane, ku theksohet se qëllimi i takimit, i cili do të zhvillohet në datën 31 gusht në Bruksel, është shkëmbimi i pikëpamjeve për vijimin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, pasi në muajin korrik u ra dakord për fillimin e përgatitjeve për një fazë të re të këtij dialogu. Sipas zyrës së shtypit të Mogherinit, përfaqësuesja e lartë dhe dy presidentët gjithashtu do të rishikojnë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura gjatë proçesit të dialogut. Në muajin korrik, Thaçi dhe Vuçiç, në cilësinë e presidentëve të vendeve të tyre, u takuan po në Bruksel me Mogherinin, duke rënë dakord për fillimin e një faze të re dialogu mes dy vendeve, si dhe për objektivat që synohen të arrihen në kuadër të proçesit të normalizimit. Dy vendet e arriten marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013 ndërsa takimin e fundit në nivel të lartë Prishtina dhe Beogradi e zhvilluan ne 3 korrik të këtij viti. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian. Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur kapituj të negociatave të anëtarësimit.