KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi takohet me Vuçiç, “Takimi më i rëndë në gjashtë vite”
Thaçi takohet me Vuçiç, "Takimi më i rëndë në gjashtë vite"

Thaçi takohet me Vuçiç, “Takimi më i rëndë në gjashtë vite”

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç do të ritakohen pas disa javësh për të vijuar diskutimet mbi normalizimin e dialogut mes dy vendeve. Kjo u vendos gjatë takimit të radhës që dy presidentët zhvilluan këtë të mërkurë në Bruksel me ndërmjetësimin e kryediplomates europiane Federika Mogherini.
Për takimin e sotëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh, se ishte më i vështiri i zhvilluar me palën serbe gjatë gjashtë viteve të fundit.
“Sapo e mbyllëm takimin me znj.Mogherini me të cilën diskutuam për të ardhmen evropiane të Kosovës, normalizimin e raporteve dhe arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë për fqinjësi të mirë dhe paqe e stabilitet në Ballkan dhe për tu integruar në NATO dhe BE. Pas kësaj zhvilluam takim në nivel presidentesh, ka qenë takim i shkurtë jo i lehtë, më i shkurti dhe më i rëndi nga takimet që kemi zhvilluar në gjashtë vitet e fundit” tha zoti Thaçi.
Por pavarësisht se është një rrugëtim i vështirë, presidenti Thaçi u shpreh se sheh dritë në fund të tunelit. “Serbia ende e sheh Kosovën pjesë të saj. Presidenti Vuçiç dhe Serbia duhet ta kuptojnë që Kosova është shtet sovran. Do të punojmë që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që do të jetë në të mirë të dyja vendeve, mirëpo do të kemi vështirësi edhe më të mëdha në ditët dhe muajt e ardhshëm” tha ai.
Para takimit me dy presidentët, përfaqësuesja e lartë europiane për politikat e jashtme, priti delegacionin kosovar, sigurisht i kryesuar nga presidenti, dhe në të cilin merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe tre zëvendëskryeministrat Pacolli, Limaj e Gashi. Para zhvillimit të takimit trepalësh me dy presidentët, Mogherini takoi edhe presidentin serb Vuçiç.

Sicred