KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi reagon ashpër ndaj deklaratave të Johannes Hahn

Thaçi reagon ashpër ndaj deklaratave të Johannes Hahn

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që perfshijne ndryshimet e kufijve. “Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundërproduktive”. Këto komente komisioneri Hahn i bëri pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiç në Bruksel. Deklaratat e Hahn pasuan intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në portalin Politiko në të cilën nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, “nëse perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE, vazhdon të zbehet”. Johannes Hahn tha se do të ishte e gabueshme të mendohet se me deklarata të tilla ‘mund të bëhet trysni ndaj BE-së’, për anëtarësim. “Deklarata e tillë shumë lehtë mund të shkaktojë kundërefekt. Duhet të jemi të vetëdijshëm se evropianët kanë një interes të fuqishëm për paqe, përparim dhe stabilitet në rajon, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes marërdhënieve të mira fqinjësore, ku të gjithë punojnë bashkë dhe ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të rajonit”. Lidhur me këtë temë ka reaguar edhe presidenti i Kosoves Hashim Thaçi. Nëpërmjet një postimi në statusin e tij social “Facebook”, Thaçi thotë se “Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri tani, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”. Më tej, Thaçi thekson se, projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”. Sipas Thaçit, nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, shkruan Thaçi.

Sicred