KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tërhiqen gjykatat turke, lirohet gazetari Mehmet Altan

Tërhiqen gjykatat turke, lirohet gazetari Mehmet Altan

Gazetari turk Mehmet Altan, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm në muajin shkurt, u la i lirë. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit në Stamboll, që urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Altan, nga burgu i Sivirlisë, ku edhe mbahej që prej arrestimit. Mehmet Altan, vëllai i tij, Ahmeti dhe 4 gazetarë të tjerë, u arrestuan në Shtator të 2016-ës, në një aksion të qeverisë turke për të goditur mbështetësit e komplotistëve të grushtit të dështuar të shtetit. Mehmet Altan u dënua në shkurt edhe pse gjykata kushtetuese, më e larta e Turqisë, kishte vendosur më parë për lirimin e tij, duke thënë se ndalimi përbënte një shkelje të të drejtave të tij. Një gjykatë penale e refuzoi atë kërkesë dhe vendosi ta mbajë në burg deri dje, pas vendimit të Apelit të Stambollit. Ndërkohë, vëllai i tij, Ahmet Altan dhe 4 gazetarët e tij vijojnë të mbeten në burg, duke konfirmuar edhe njëherë shqetësimin e thellë në lidhje me lirinë e shtypit në Turqi. Aktualisht rreth 120 gazetarë janë në burg në Turqi, ndërsa rreth 180 media janë mbyllur, për shkak të dyshimeve se janë të lidhura me klerikun Fetullah Gulen.

Sicred