KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tensionet në kufirin mes Gazës dhe Izraelit,përcillen për në banesën e fundit viktimat e djeshme

Tensionet në kufirin mes Gazës dhe Izraelit,përcillen për në banesën e fundit viktimat e djeshme

Në Gaza po zhvillohen funeralet e 58 personave që u vranë dje kur trupat e Izraelit hapën zjarr ndaj protestuesve palestinezë. Ceremonitë funebre përkojnë me 70 vjetorin e asaj që palestinezët e quajnë Nakba, ose Katastrofa, ku përkujtohet largimi masiv nga shtëpitë e tyre i palestinezëve në luftën pas krijimit të Izraelit. Ndërkohë ushtria izraelite ka bërë të ditur se kishte marrë masa për përballje të mëtejshme këtë të martë. Por grupet palestineze u shprehën se synojnë të mbajnë nën kontroll protestat e sotme. E hëna ishte edhe dita me numrin më të madh të viktimave qëkur filloi vala e protestave në gardhin kufitar të Gazës shtatë javë më parë. Zyrtarët palestinezë bënë të ditur se 2 700 persona u plagosën si pasojë e dhunës së shënuar dje, të cilën ata e konsiderojnë si masakër. Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u shpreh se ushtria e tij po vepronte për të mbrojtur veten kundër lëvizjes Hamas, për të cilën ai u shpreh se synon të shkatërrojë Izraelin. Dhuna e djeshme në kufirin mes Gazës dhe Izraelit erdhi ndërsa SHBA-të inaguruan ambasadën e tyre të parë në Jeruzalem, një lëvizje e shumëkundërshtuar që zemëroi palestinezët. Palestinezët e shohin Jeruzalemin lindor si kryeqytetin e tyre të ardhshëm, dhe sipas tyre lëvizja e SHBA-ve mbështet kontrollin nga Izraeli të të gjithë qytetit. Ndërsa Izraeli e konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të pandashëm. Vendimi i vitit të shkuar marrë nga Presidenti Donald Tramp për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit I dha fund dekadave të tëra të neutralitetit amerikan në lidhje me këtë cështje.

Sicred