KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tenori që zbuloi Shqipërinë përmes muzikës

Tenori që zbuloi Shqipërinë përmes muzikës

Ramon Vargas është një nga zërat më autentikë dhe tenorët e spikatur të kohës sonë. I lindur në Meksikë dhe i adoptuar në Vjenë që kur nisi seriozisht të merrej me muzikë, ai është nga ato personalitete artistike që të mbajnë frymën pezull teksa i dëgjon tek këndojnë. Miqësia me artisten Inva Mula dhe këmbëngulja e producentes së koncertit Ingrid Mukeli, e kanë nxitur të vijë në Tiranë për koncertin Viena Salutes Tirana. “Muzika është shumë speciale, është ndoshta një nga aktivitetet e pakta njerëzore që i bën njerëzit bashkë. Shumë pak gjëra mund ta bëjnë këtë. Feja jo, politika jo madje mendoj që edhe sporti nuk është aq përbashkues. Por opera, muzika e realizon mrekullisht këtë gjë” tha tenori Ramon Vargas. Ka kënduar në disa produksione të rëndësishme me Inva Mulen dhe njeh disa artistë shqiptarë dhe kjo e bën gjykimin e tij të qartë në lidhje me aftësitë vokale të tyre. “Besoj se ju shqiptarët keni një aftësi të veçantë me zërat, me muzikën dhe jeni një vend shumë artistik, njerëzit e pëlqejnë muzikën dhe ndjehen pjesë e saj njësoj si ne në Meksikë dhe është shumë bukur të shohësh këto dy pika bashkimi”.

-Teksa shpesh opera shihet si diçka e dalë jashtë mode ai përgjigjet: “Opera në fund të fundit është aktuale, ne tregojmë emocione dhe histori që mbeten aktuale, janë moderne. Njerëzit mendojnë që opera është antike por kjo nuk është e vërtetë pasi historitë dhe emocionet në opera janë të vërtetë, opera është gjithnjë e re dhe aktive”.

– Ju keni bërë shumë role në karrierën tuaj por cilin keni më të preferuar, ngjan pak si pyetje klishe sepse për një artist rolet janë si fëmijët? “Opera ime e preferuar është Lucia di lamermoor sepse është një nga operat më të rëndësishme të jetes time dhe më magjeps roli i Edgardo de Lamermur i cili është një djalosh fisnik, i respektuar dhe me personalitet të fortë. Është roli im i preferuar”.

-Nga këngëtari i korit në baziliken Guadalupe në Meksikë ai sot është një nga zërat më të kërkuar në skenat botërore të operas por thotë ai nëse nuk ke pasion kjo nuk ndodh kurrë. “Gjëja më e rëndësishme është të ndjesh pasionin sepse opera është pasion. Nëse përpiqesh të bëhesh këngëtar lirik sepse dëshiron të bëhesh i famshëm është një gabim i madh sepse askush nuk e di nëse do të ketë fatin të ngjitet ndonjëherë në skenë për të kënduar” theksoi më tej tenori Ramon Vargas.

Sicred