KRYEFAQJA » LAJME » Tenistja Osaka, kontrate “faraonike” pas suksesit

Tenistja Osaka, kontrate “faraonike” pas suksesit

Suksesi në ditët e sotme konvertohet në para dhe Naomi Osaka nuk bën përjashtim. Triumfi i saj në një finale të shumëdiskutuar të Turneut të Hapur Amerikan të tenisit “US Open”, ka bërë që 20-vjeçarja të jetë pranë nënshkrimit të njërës prej kontratave më të shtrenjta në historinë e firmave të prodhimeve të veshjeve dhe pajisjeve sportive. Sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, ylli japonez I tenisit pritet të firmosë atë që kompania prestigjioze botërore, “adidas” ka nënshkruar ndonjëherë me një sportiste femër, që kap vlerën e 8.5 milionë dollarëve amerikanë, apo afro 7.8 milionë Eurove në vit. Osaka e ka një kontratë aktuale me kompaninë në fjalë, por “adidas”-i pritet ta bëjë atë sportisten e saj më të paguar në histori, ndërsa kjo kontratë vjen pak pasi tenistja e re ka nënshkruar edhe me një kompani të prodhimit të automobilëve në Japoni, për t’u bërë zëdhënëse dhe imazhi i saj. Osaka e mundi Serena Uilliamsin në finalen e “Flushing Meadows” javën e shkuar, në një duel që u karakterizua nga skena kontradiktore, sidomos nga ana e amerikanes, që kërkonte të barazonte rekordin e Margaret Kortit, që ka fituar 24 tituj të turneve madhorë, që njihen ndryshe si “Grend Sleme”. Kjo marrëveshje e tenistes së re, me mama japoneze dhe baba haitian, e afron atë me kuotën prej 18 milionë dollarësh amerikanë në vit që Serena Uilliams fiton nga të gjitha marrëveshjet e marketingut, duke e futur kështu edhe 20-vjeçaren japoneze në listën e sportisteve më të paguara të botës. Duhet theksuar se kjo kontratë me një sportiste të vetme është edhe më mbresëlënëse kur merr parasysh se “adidas”-i i paguan Mançester Junajtid 10 milionë euro në vit për kontratën e fanellave dhe uniformave.

Sicred