KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tenis, Kerber largon Uilliamin nga Uimbëlldoni
Tenis, Kerber largon Uilliamin nga Uimbëlldoni

Tenis, Kerber largon Uilliamin nga Uimbëlldoni

Misioni i Serena Uilliamit për ta fituar për herë të 8-të turneun prestigjioz të Uimbëlldon”-it në tenisin e femrave u ndal të shtunën pasdite, falë një loje bindëse, të karakterizuar nga goditjet e forta, durimi dhe saktësia, të gjermanes Anxhelikë Kerber. Kjo e fundit, një nga 5 femrat e vetme që e kanë mundur Serenën në një finale të turneve madhorë, që njihen ndryshe si “Grand Slam”-e, pati nevojë për vetëm 65 minuta, për të korrur një fitore të pastë në dy sete, me shifrat 6-3, 6-3. Sidoqoftë, 36-vjeçarja Uilliams, largohet nga ky turne si një fituese në shumë aspekte. Ajo erdhi në këtë finale vetëm 10 muaj pas një lindjeje të vështirë dhe me pasoja të rënda dhe kishte deklaruar gjatë këtij turneu se rikthimi i saj nuk kishte të bënte me pasurimin e mëtejshëm të bilancit të saj prej 23 titujsh madhorë, por për t’u dëshmuar femrave mbi atë që ishte e mundur. Ky ishte turneu i saj i 4-t që nga rikthimi në fushën e lojës, teksa mungesa prej 13 muajsh i kushtoi rënien nga vendi i parë në atë të 491-të në renditjen botërore. Ndonëse Uilliamsi kishte fituar 6 nga 8 përballjet e fundit me Kerberin, gjermania ishte thjesht e pagabueshme në finalen e së shtunës, duke bërë vetëm 5 gabime, kundrejt 24 gabimeve të amerikanes. Kështu, Serena Uilliams duhet të presë deri në turneun amerikan të “US Open”, për të barazuar rekordin historik të Margaret Kortit të 24 turneve madhorë të fituar, ndërsa Kerberi ka shkruar një kapitull të ri në historinë e saj. Ajo bëhet tenistja e parë gjermane që e fiton “Uimbëlldon”-in që nga triumfi i idhullit të saj të fëmijërisë, Stefi Graf në 1996-ën, dhe ia shton trofeun e së shtunës atyre të fituar në 2016-ën në “Australian Open” dhe “US Open”. Sikundër gjysmëfinalet e meshkujve, edhe kjo finale e femrave u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 2, në komentin e Erti Kristos.

Sicred