KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Teatër Kombëtar me fondet e shqiptarëve

Teatër Kombëtar me fondet e shqiptarëve

Nese shteti nuk ka fonde për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, artistët propozojnë që Teatri Kombëtar të ndërtohet me fondet e të gjithë shqiptarëve duke hapur një llogari bankare për këtë qëllim. Artistët kërkojnë dialog dhe transparencë. Ministria e Kulturës e ofron dialogun, por jo në platformën e kërkuar prej tyre, por përmes një konsultimi online.
Artistët janë organizuar sërish, kësaj here në dëgjesen publike të organizuar në Universitetin e Arteve. Regjisori Kastriot Çipi thotë se sipas kryetarit të bashkisë “…teatri do të jetë në 3000 metra katrorë sepse në këtë sipërfaqe është sot. Por përmes të dhënave që ofron faqja e Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapsinor sot sipërfaqja e Teatrit Kombëtar sot është 6000 metra katror”. “Paska metra tepër Bashkia e Tiranës që mund t’ia fali një privati?” pyeti Çipi. “Të ruhet salla e Teatrit Kombëtar si një sallë muze e këtij vendi. Nëse ajo do të jetë pas 75 vjetësh siç është sot, atëhere do të kemi një sallë 150 vjeçare” tha aktori Arben Derhemi.
Artistët ngulmojnë që të ruhet historia dhe godina e teatrit të mos shembet, për të ndërtohet një teatër i ri kombëtar. Të akuzuar shpesh se nuk dinë ç’ka kërkojnë artistët kanë bërë një listë me kërkesa konkrete. Aktori Alert Çeloaliaj tha se “…për treguar se nuk e kemi keqkuptuar ligjin, jemi të gatshëm të dalim publikisht të debatojmë për këtë çështje e të bëjmë transparent gjithë projektin e ministrisë për amendimin e ligjit”.
Nga ana e saj Anxhela Çikopano tha se një pikë kyçe e projetkligjit të ri i cili është mbajtur i fshehur dhe mjegulluar enkas në debate publike televizive, është se për herë të parë të parashikohet që institucionet publike dhe private financohen njësoj nga shteti. “Jemi në të njëjtat kushte siç ndodhi me arsimin” tha ajo.
Në dëgjesën publike merrnin pjesë edhe deputetë të parlamentit nga Komisioni i Edukimit të cilët dëgjuan konkretisht ankesat dhe shqetësimet e artistëve. Nuk munguan edhe reagimet nga përfaqësues të teatrit të Vlorës si dhe nga tenori i famshëm Josif Gjipali në mbështetje të lëvizjes teatrore për më tepër dinjitet dhe vendimarrje në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me teatrin dhe politikat e artit dhe autonominë artistike.

Sicred