KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Të përsekutuarit, dëshmi të gjalla në Muzeun e Gjetheve

Të përsekutuarit, dëshmi të gjalla në Muzeun e Gjetheve

Të persekutuarit dhe të mbijetuarit e komunizmit do të jenë historia e gjallë e cila do të mësohet në korridoret e muzeut të përgjimeve. Mbuluar nga misteri dhe gjethet, prej datës 23 maj që është çelur për publikun, Muzeu i Gjetheve, është vizituar nga rreth 4400 vizitorë. Një interes në rritje për zemrën e merimangës ku thurej persekutimi dhe ku çdo frymëmarrje përgjohej. Etleva Demollari rrëfen se muzeu nuk do mbetet thjesht në kuadrin e vizitës por nga shtatori vizitorët sidomos të rinjtë do të mund të dëgjojnë dëshmitë e njerëzve që vuajten në lëkurë regjimin dhe mizorinë e prodhuar në këto korridore. “Do mundohemi që muzeun ta kthejmë edhe në një qendër debati, kryesisht me brezin e ri. Ne duam, madje kemi edhe një projekt për ti afruar personat të cilët kanë vuajtur gjatë periudhës komuniste, personat e persekutuar që mund të kthehen në giuda të muzeut” theksoi drejtoresha Etleva Demollari. Teksa prekim pajisjet ku teknikisht mund të përgjoheshin 40 telefonata njëherësh, proçesverbalet ende të deklasifikuara ku publikohen pseudonimet e persekutorëve por jo emrat e tyre mundet shumë shpejt të ndryshojnë në sinkronizim me hapjen e dosjeve. “Dokumentet që janë pasqyruar në muze janë përdorur vetëm pseudonimet, nuk janë treguar emrat e vërtetë. Arsyeja është se ky është një muze dhe ne duam të tregojmë fenomenin se çfarë ka ndodhur. Ndoshta një ditë edhe ne do ti tregojmë këto emra”. Në 3 muaj Muzeu i Gjetheve ka hapur dyert për shqiptarët dhe turistët e huaj të parët në kërkim të të vërtetave apo copëzave të historive të dytët të shtyrë nga kureshtja për të njohur mekanizmin e diktaturës me të egër të Europës. Ende në këto korridore enden fantazma të së kaluarës dhe ndoshta nuk do të kenë paqe derisa shiritat e errët të shpërfaqin emrat e vërtetë të persekutorëve.

Sicred