KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Të përfitojmë të gjithë nga fondet e bujqësisë”

“Të përfitojmë të gjithë nga fondet e bujqësisë”

Pas publikimit të skemave mbështetëse të qeverisë për bujqësinë, në zyrat e Drejtorive të Bujqësisë në gjithë Shqipërinë po bujtin gjithmonë e më shumë fermerë për të mësuar se çfarë mund përfitojnë.
Janë 52 aspekte të ndryshme, ku fermerët mund të aplikojnë, që nga mbjelljet e reja të drufrutorëve, serat diellore, agroturizëm, instalimet e teknologjive të përparuara, certifikim produktesh, matrikullim bagëtish etj.
Me një fond tërësor prej 2,6 miliard lekësh, që do të ndahen nga 150 mijë lekë për mbjellje gështenjash, deri në 730 milionë lekë për investime në grumbullim-përpunim, apo sera të reja.
Fidan Durollari, inspektor i Agropikës në Kavajë thotë se deri tani janë bërë 70 aplikime. “Më shumë ka patur interesim për shtimin e blegtorisë për prodhimin e qumështit, mbjelljet e reja, ujitjen me pika, mbjelljen e bostaneve etj” thotë ai.
Amarildo Xhindi i Agropikës Fier – Mallakastër thotë se këtë vit ka qenë risi aplikimi me 0 dokumenta. Ndërsa Leonard Bano i Agropikës së Lushnjës thotë se deri tani kanë ardhur mbi 350 aplikantë nga zona.
Arjan Pashollari thotë se aplikimi ishte shumë i thjeshtë. “Duhet vetëm një kartë identiteti dhe një numër nipti. Unë aplikova për një sipërfaqe që dua ta mbjell me shegë” tha ai.
Por ka edhe fermerë që mbeten jashtë skemave e sugjerojnë një përfshirje më të gjerë të tyre.
Po përse?
Skënder Ibrahim Doda thotë se duhet të mbjellësh në një dynym 40 rrënjë ulliri që të përfitosh, ndërsa ai ka mbjellë 21.
Bajram Pjeçi thotë se skemat që ofrojnë subvencionim ju përshtaten atyre që kanë sipërfaqe të mëdha 50-60 dynym, ndaj duhet të mendohet edhe për fermerët e vegjël që i kanë pronat e coptuara.
Fermeri Hysen Doçi thotë se ka shkuar në seksionin e bujqësisë për tu interesuar për të instaluar vaditjen me pika, por i kanë thënë se duhet të ketë mbjellë një numër të madh bimësh.
Fermeri Ferik Rama ka ngritur disa sera. Por ai thotë se duhet që ato të jenë mbi 2.8 metra që të përfitojë nga fondet e qeverisë.
Aplikimet bëhen deri në 28 mars, online në faqen e-albania apo pranë Agropikave e 36 zyrave të Drejtorive të Bujqësisë në gjithë vendin.

Sicred