KRYEFAQJA » LAJME » Të ndaluarit në protestën e “Rrugës së Kombit” transferohen në Tiranë

Të ndaluarit në protestën e “Rrugës së Kombit” transferohen në Tiranë

Të gjithë protestuesit kuksianë, të ndaluar nga policia me akuzën e shkatërrimit të pronës së kompanisë që vjel tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit, janë transferuar në paraburgimet e policisë së Tiranës. Mësohet se ky vendim është marrë pasi në komisariatin e Kukësit nuk ka patur kapacitet për mbajtjen e tyre. Transferimi nisi që mbrëmjen e djeshme për të përfunduar sot. Mësohet se protestuesit u shpërndanë në disa komisariate sapo i sollën në Tiranë. 13 vetë janë në qelitë e paraburgimit  e Drejtorisë së Policisë, ndërsa të tjerët u shpërndanë në komisariatet e kryeqytetit. Ndërkohë blindat e policisë që udhëtuan drejt Tiranës u ndoqën nga të afërmit e të arrestuarve të cilët pretenduan fillimisht se nuk janë njoftuar për fatin e njerëzve të tyre. Të ndaluarit pritet të dalin  në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë, mbi ta rëndojnë akuzat e “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Por veprimet e Policisë dhe Prokurorisë për ndalimin e protestuesve janë kundërshtuar  nga Avokati i Popullit. Në një raport të publikuar nga ky institucion thuhet se ndonëse ndaj asnjërit prej të ndaluarve nuk është ushtruar dhunë dhe asnjëri prej këtyre të ndaluarve nuk ka pretenduar të jetë ushtruar dhunë mbi të, situata paraqitet problematike në lidhje me komunikimet formale të shkakut të privimit nga liria të këtyre personave.

Për këto shkelje është depozituar edhe një padi nga këshilltarët e Bashkisë së kukësit.  Ata pretendojnë se ndalimet janë kryer sipas metodave që ndjekin regjimet totalitare, duke shkelur të gjitha standardet dhe parimet që sanksionohen në Kushtetutë. Këshilltaret e Bashkisë së Kukësit besojnë se urdhër-arrestet janë lëshuar me një akt të motivuar politikisht nga organi i prokurorisë në Kukës, që nuk ka kryer procedurë të hetimit të pavarur dhe te paanshëm.

Sicred