KRYEFAQJA » LAJME » Të hënën zgjidhet Prokurori i ri i Përkohshëm

Të hënën zgjidhet Prokurori i ri i Përkohshëm

Vetëm 11 ditë pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës, Parlamenti i Shqipërisë mbi bazë të dispozitave kalimtare të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi do të zgjedhë prokurorin e ri të Republikës. Megjithese njeriu që pritet të zgjidhet të hënën e 18 Dhjetorit do t’i ushtrojë funksionet përkohësisht, procedura e zgjedhjes se tij është kundërshtuar fort nga partitë e opozitës. Ato jo vetëm bojkotuan seancën dëgjimore me kandidatët për prokuror, por kanë paralajmëruar protestë kundër vendimeve të shumicës parlamentare.
Të hënën në rendin e ditës së punimeve të parlamentit është parashikuar të dëgjohet raporti i Komisionit të Ligjeve. Në raport janë përshkruar me hollësi se vetëm tre nga shtatë kandidatet për Prokuror të Përkohshëm i plotësojnë kushtet. Ndaj dhe deputetet në Kuvend të hënën do të duhet të zgjedhin mes Arta Markut prokurores së Shkodrës, Ferdinand Elezit prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrës dhe Ermira Tafanit prokurore në Prokurorinë e Elbasanit. Rezulton se këta tre kandidatë plotësojnë kushtet për vjetërsinë në pune, diplomimin e plotë juridik, vlerësime të larta nga titullarët e Prokurorisë, biografi të pastër në lidhje me të shkuarën e para viteve ’90.
Prokurori i ri i përkohshëm që do të zgjidhet nga Parlamenti do të ketë një fushë veprimi të kufizuar për shkak të përcaktimeve qe ka bërë reforma në drejtësi. Së pari Prokurori i ri i Përgjithshëm nuk ndikon dot tek prokurorët e rretheve, të cilët do të jenë të pavarur për të hetuar dosjet e tyre. Së dyti, Prokurori i ri i Përgjithshem nuk ka të drejtë të hetojë për korrupsionin e zyrtarëve të lartë sepse kjo do të jetë një detyrë e Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme.

Sicred