KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tarifat amerikane ndaj eksporteve kineze rrezikojnë marrëdhëniet mes tyre

Tarifat amerikane ndaj eksporteve kineze rrezikojnë marrëdhëniet mes tyre

Plani i presidentit Donald Tramp për të vendosur tarifa ndaj eksporteve kineze, rrezikon progresin e shënuar në bisedimet mes Pekinit dhe Uashingtonit, bëri të ditur në një deklaratë qeveria kineze. Sipas CNN, një delegacion amerikan, i drejtuar nga sekretari për tregtin Uilbur Ross zhvilloi të shtunën dhe të dielën takime me negociatorët kinezë në Pekin. Bisedimet prodhuan zhvillime konkrete dhe pozitive, thuhet në deklaratën e qeverisë kineze të shpërndarë nga agjencia zyrtare e lajmeve Hsinua. Deklarata dha pak detaje mbi bisedimet, por bëri të qartë se Kina nuk do të blinte më shumë mallra amerikane nëse eksportet e saj sanksionohen, duke iu referur kështu marrëveshjeve të mërparshme tregtare arritur mes dy vendeve. ” Marrëveshjet mes Kinës dhe SHBA-ve duhet të bazohen në premisat e krijuara kur dy palët ecin në të njëjtin drejtim, pa shkaktuar ndonjë luftë tregtare” vlerësonte deklarata, e cila gjithashtu theksoi se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin masa sanksionuese tregtare, ku përfshihen edhe tarifat, atëherë të gjitha përfitimet ekonomike dhe tregtare të negociuara nga dy palët nuk do të hyjnë në fuqi. Po sipas CNN, takimet në Pekin u zhvilluan në fund të një jave të turbullt, gjatë së cilës presidenti amerikan bëri të dëgjohen të shtënat e para të një lufte botërore tregtare, duke risjellë në fokus planet për të vendosur tarifat e reja ndaj mallrave kineze, dhe duke goditur Kanadanë, Meksikën dhe Bashkimin Europian me tarifa të hidhura ndaj importeve të metaleve.

Sicred