KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Tarifa e “Rrugës së Kombit” Rama dhe Basha përplasen në parlament
Tarifa e "Rrugës së Kombit" Rama dhe Basha përplasen në parlament

Tarifa e “Rrugës së Kombit” Rama dhe Basha përplasen në parlament

Tarifa e pagesës së “Rrugës së Kombit” e cila sapo ka filluar duke ngjallur një reagim të madh veçanërisht nga biznesi kosovar, ka qenë në qendër të debatit parlamentar të së enjtes.
Kryeministri Edi Rama që në fillim e sulmoi ashpër opozitën, e cila sipas tij “si gjithmonë nuk mban përgjegjësi për atë që thotë”. Duke spjeguar arsyen e vendosjes së pagesës së autostradës më më madhe në vend, zoti Rama tha se “Vendimarrja për të vendosur tarifën e ka zanafillën në vitin 2010 kur kryeministri i kohës ka marrë iniciativën për të hapur këtë proces, dhe tha publikisht si rallë në karrierën e tij atë që sot si gjithmonë në karrierën e tij e mohon, “ne e ndërtuam, por për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot””.
Sipas kryeministrit rruga e cila deri tani nuk ka përfunduar, u ka kushtuar shqiptarëve 1.4 miliardë euro. “Pamundësia e mirëmbajtjes ka sjellë degradime të rëndësishme në atë aks gjatë gjithë këtyre viteve. Ne jemi dëshmitarë si herë pas herë, por në mënyrë sistematike ekranet janë të mbushura me shfaqje të degradimit të atij aksi” tha zoti Rama. Sipas tij në vendimin e qeverisë nuk ka asgjë të pazakontë e të çuditshme. “S’ka një mijë rrugë për rrugët, vetëm dy rrugë ka, ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit ose për mirëmbajtjen paguajnë të gjithë përdoruesit” tha zoti Rama. “Do të kemi një Rrugë Kombi që nuk do të rrëshqasë më çdo stinë dhe nuk do bjerë guri nga lart dhe ti bjerë në kokë ndonjë përdoruesi. Do të kemi 45 milionë euro të investuara vetëm në 4 vitet e para. Ashtu sikundër dhe 54 milionë euro të tjera, që në të gjithë harkun e viteve do të shkojnë për rehabilitim dhe mirëmbajtje” premtoi kryeministri socialist.
Por kundërshtari i tij kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi zotin Rama se po i takson dyfish shqiptarët, duke i marrë edhe taksën e qarkullimit edhe taksën për rrugën. “Sapo ra me këmbët e veta në gropën që vetë ka hapur. Një njeri që nuk mban përgjegjësi për asgjë që thotë dhe bën. Në 5 vite në pushtet Edi Rama e ka rritur dy herë taksën e qarkullimit. 100 lekë me janarin e 2014 dhe 100 lekë të tjera në janarin e 2015. Duke shtuar edhe TVSH vlera totale e taksës Rama mbi cdo litër karburant është 240 lekë për litër. Kaq lekë merr shtesë nga xhepat e shqiptarëve Edi Rama me taksën e qarkullimit” tha zoti Basha. “Në botë paguajnë ose taksapaguesit ose përdoruesit. Po na thuaj me këtë sistem që ke shpikur ti pse pagujanë edhe taksapaguesit edhe përdoruesit? Pse vazhdon ti marrësh shqiptarëve 240 lekë litër karburanti dhe pastaj i merr edhe tarifë për rrugët?” pyeti zoti Basha.

Sicred