KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Taksimi individual i shqiptarëve, më i larti në rajon

Taksimi individual i shqiptarëve, më i larti në rajon

Në Shqipëri taksohesh me dyfishin e taksave në krahasim me të gjithë vendet e rajonit, nëse je individ me pagë të lartë. Lajmin e ka bërë të njohur një studim i Këshillit të Investimeve, një agjenci e financuar nga BERZH që ofron konsulencë dhe rekomandime për qeverinë shqiptare. Ndërsa kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute, Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Por qeveria ka vendosur të zbusë këtë nivel taksimi. Ministri në detyrë i Financave, Arben Ahmetaj, duke nënvizuar se qeveria “Rama” vijon t’i mbetet besnike skemës së taksës progresive dhe suksesit të saj në shpërndarjen e të ardhurave në ekonomi, tha edhe se do të ketë një rishikim të tatimit të individëve me paga të larta, me tendencë zbutjen e këtij tatimi. Nga ky rishikim përfitojnë vetëm nga administrata publike rreth 26 mijë të punësuar, ndërsa efekti kryesor vjen për punësimin privat të ekspertëve dhe specialistëve të lartë. “Nëpërmjet takset progresive është bërë një përpjekje serioze për ta ulur sado pak pabarazinë.Kur qeveria e re Rama 2 të shpalosi programin e qeverisë aty do të keni edhe detajet e korektimit. Dhe theksoj se progresiviteti në favor të të ardhurave të ulëta dhe të mesme do vazhdoje të konsolidohet” theksoi ministri Ahmetaj. Duke iu referuar rajonit, Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me Shqipërinë, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 Euro neto/muaj nga punësimi. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Sicred