KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Taksa e “Rrugës së Kombit”, tregëtarët: “Do falimentojmë”

Taksa e “Rrugës së Kombit”, tregëtarët: “Do falimentojmë”

Prej vitesh Qarku i Kukësit, kryeson tabelën e varfërisë sipas qarqeve në vend. Publikimi i fundit zyrtar, nga INSTAT është ai i vitit 2012, dhe këtu treguesi i varfërisë është 22.5 përqind. Por, nëse nuk mbahet premtimi i një viti më parë për diferencim të taksës së “Rrugës së Kombit” për banorët e qarkut, shumë shpejt ky tregues pritet të thellohet.
Një ndër ndikimet e drejtëpërdrejta është çmimi i produkteve të konsumit. 90 përqind e mallrave në tregun e Kukësit, sigurohen nga Myzeqeja. “Përfundimisht, populli e ha! Se ne do të rritim çmimet” thotë një tregëtar. “Ne jemi kundër kësaj takse! Qeveria ti verë gishtin kokës se Kukësi është shumë i varfër” shton ai ndërsa tregon mallin që ka mbatur pa shitur. “Kemi katër orë, nuk ka ardhur të blejë njeri” thotë tregëtari i pezmatuar. “Ne kemi mbetur midis dy doganave, Doganë me Morinin, doganë me Tiranën”.
“Ne jemi shumë, shumë të penalizuar! Me tepër se çdo rreth tjetër” thotë një banor i Kukësit. “Me këto taksa ne na bie sikur me dalë jashtë shtetit dhe jo sikur shkojmë në Lushnje e Tiranë” thotë me humor të hidhur ai.
Një shitës duke “falenderuar” qeverinë thotë se pa hyrë në fuqi taksa e rrugës çmimet janë ngritur në Kukës. “Populli është i mbaruar” thotë me keqardhje ai.
Një shitëse ambulante duke treguar varfërinë e saj thotë me keqardhje se nuk mund të paguajë për të dalë nga Kukësi. Ndërsa një kolegu i saj thotë se të paktën brenda një viti do ti duhet të shpenzojë më shumë mbi 2000 euro në vit, çka do të rëndojë mbi popullin.
Bashkia e Kukësit ka një popullsi prej 60 800 banorësh, 2 760 familje trajtohen me ndihmë ekonomike, vlera maksimale e së cilës është 4 500 lekë, ndërsa 4 700 persona janë në skemën e papunësisë.