KRYEFAQJA » LAJME » Takimi Kosovë-Shqipëri i hap rrugën eleminimit të çmimeve të referencës në doganë

Takimi Kosovë-Shqipëri i hap rrugën eleminimit të çmimeve të referencës në doganë

Një takim i zhvilluar në Kosovë mes Zv/Ministres së Financave Irena Beqiraj, Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Belinda Ikonomi me homologët e tyre në Prishtinë është fokusuar në zgjidhjen konkrete të disa problemeve lidhur me shkëmbimet tregtare. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë detaje rreth takimit, ndërsa ato të Kosovës i thanë RTSH se gjatë takimin kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë. “Diskutuam për mundësinë e identifikimit të pengesave në këto proçeduara, në mënyrë që ne t’i shtyjmë doganat e Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe administratat tatimore që t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit, që i kemi si institucione dhe si qeveri”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi, tashmë ministër i Financave i Kosovës. Zëvendësministrja e Financave të Shqipërisë, Irena Beqiraj ka thënë se “Qeveria shqiptare do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën dhe me vazhdimin e këtij bashkëpunimi të gjitha do të zgjidhën. Ne kemi çmime reference jo vetëm me Kosovën por për të gjitha vendet”. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se biseduam për çmimet referente të patates, që nuk do të implementohen, por do të përdoren çmimet e transaksioneve. Të dy drejtorët e Doganave, të institucioneve respektive, të cilët ishin të pranishëm brenda 1 jave do të dakordohen për eliminimin e çmimeve referente të të gjitha produkteve “-tha ministrja Hykmete Bajrami. Ajo me këtë rast gjithashtu ju bëri thirrje fermerëve kosovare që pa asnjë hezitimi ta eksportojnë pataten e tyre në Shqipëri, sepse nuk do të kenë barriera nga autoritetet doganore të Shqipërisë.