KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Takimi i presidentit Meta me “Forumin e Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”
Takimi i presidentit Meta me “Forumin e Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”

Takimi i presidentit Meta me “Forumin e Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”

Presidenti Ilir Meta priti të hënën në një takim konsultativ përfaqësuesit e “Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”.  Ky forum është krijuar rishtaz si një “platformë lobimi” për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.
Presidenti i Republikës përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të axhendës tonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.  Gjithashtu, Presidenti theksoi se përmirësimi i klimës së biznesit, heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve tona, thithja e investimeve të huaja direkte, parashikueshmëria fiskale, garancia juridike dhe kontraktuale, duhet të jenë disa nga prioritetet kryesorë në axhendën tonë ekonomike. Presidenti i Republikës apeloi për më shumë mekanizma financiar, fiskal dhe promovues për prodhimin vendas dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe “brandeve” shqiptare, përfshirë çertifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e qëndrueshme ndërkombëtare. Ai tha se vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë “Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare” e cila do ti paraprinte dhe ndihmonte krijimit të “Zonës Ekonomike Rajonale” që duhet të funksionojë si një “paradhomë” e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian.

(Visited 38 times, 1 visits today)