KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Takimi i Ministrave të Financave të Eurozonës për Greqinë

Takimi i Ministrave të Financave të Eurozonës për Greqinë

Takimi i Ministrave të Financave të Eurozonës, që fillon pasdite në Luksemburg, konsiderohet vendimtar në përpjekjet e Greqisë për dalje nga kriza. Nga rezultati i këtij takimi varet nëse Athina do të përplaset sërish me kreditorët dhe të rikthehet në një perspektivë të zymtë ekonomike. Mund te konsiderohet e sigurt se Ministrat do të miratojnë disbursimin e këstit të kredisë, por është çështja e lehtësimit të borxhit grek, ajo që mund të rikthejë ngërçin dhe rrjedhimisht të stopojë realizimin e reformave të vështira, por të detyrueshme. Pala greke priste nga takimi i të enjtes që të miratohej një hartë rrugore për lehtësimin e borxhit, si kusht kryesor që vendi të rikthehet në ritme pozitive të zhvillimit ekonomik. Por Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, ka insistuar deri në momentin e fundit, se vendimet për borxhin mund të shqyrtohen vetëm kur të përfundojë programi i tretë i shpëtimit, vitin e ardhshëm. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar që po nuk pati një vendim në takimin e Ministrave të Financave, ai do të kërkojë mbajtjen e një samiti të liderëve të vendeve anëtare të Eurozonës. Tsipras ka informuar për këtë presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk. Por analistët thonë se kjo është një lëvizje pa shumë efekt, pasi liderët e Eurozonës do të autorizojnë sërish Ministrat e Financave që të merren me këtë çështje, siç ka ndodhur edhe herë të tjera.

Sicred